Fanella e kombëtares së Argjentinës me numrin 10 që mban Lionel Messi nuk gjendet në treg.
Përparimi i skuadrës në Botërorin e Katarit dhe paraqitja e super yllit argjentinas kanë çuar në kërkesë të lartë për blerjen e fanellës me nr.10.
Sipas raportimeve në Argjentinë dhe Spanjë, fanella e Messit është shitur në Buenos Aires, Doha, Madrid, Tokio dhe qytete të tjera anembanë botës.
Dyqanet Adidas marrin një numër të madh porosish çdo ditë por nuk mund t’u shërbejnë klientëve.
Federata e Futbollit të Argjentinës mbajti qëndrim për këtë çështje, duke theksuar: “Nuk mund të bëjmë asgjë, megjithëse është në interesin tonë të shesim më shumë. Është një çështje e Adidas-it dhe ka probleme në vend që e prekin, si barrierat për importet dhe mungesa e fuqisë punëtore, por edhe kërkesa e madhe”.
Adidas shpjegoi se është e pamundur brenda natës të rritet prodhimi për të zëvendësuar një produkt kaq popullor, por po bën përpjekje për ta zgjidhur çështjen së shpejti.
Nuk duam të dimë se çfarë do të ndodhë nëse Argjentina fiton trofeun të dielën.
I gjithë planeti do të dëshirojë një fanellë të Lionel Messit.