Gazetari meksikan, Ciro Gomez Leyva, një nga më të njohurit në vend, ka bërë të ditur sot se është sulmuar nga persona të panjohur të cilët kanë qëlluar drejt tij me qëllim për ta vrarë.
Presidenti i Meksikës shprehu “solidaritetin” e tij me Leyva, të cilën e kishte kritikuar dy ditë më parë.
Në një postim në llogarinë e tij në Twitter ai ka lajmëruar për incidentin.
“Në orën 23.10 në një distancë prej 200 metrash nga shtëpia ime, dy persona që lëviznin me motoçikletë kanë qëlluar mbi mua, me sa duket me qëllimin për të më vrarë”, tha gazetari.
Ai shtoi se ka shpëtuar sepse makina e tij është e blinduar dhe ka postuar foto të dëmtimit të plumbave në xhamin e përparmë, një nga xhamat dhe karrocerinë.
Agradezco sus mensajes. Me salvó el blindaje de la camioneta. CGL pic.twitter.com/jNfX0N5uCA
— Ciro Gómez Leyva (@CiroGomezL) December 16, 2022
Gazetari është i njohur në Meksikë për kritikat e tij ndaj qeverisë së Presidentit Andrés Manuel López Obrador, i cili shpesh i përgjigjet atij gjatë konferencës së përditshme të shtypit në mëngjes.
Të mërkurën, ai madje komentoi se është “e rrezikshme për shëndetin” të dëgjosh Gomes Leyva dhe të tjerë që kritikojnë punën e qeverisë.
Ministri i Jashtëm, Marcelo Ebrard shprehu solidaritetin, vlerësimin dhe mbështetjen për gazetarin, duke uruar që të identifikohen sa më shpejt autorët moralë dhe fizikë të sulmit.
Sipas një raporti të fundit të Reporterëve pa Kufi (RSF) Meksika konsiderohet si një nga vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët.
Që nga viti 2000, më shumë se 150 gazetarë janë vrarë dhe shumica e këtyre krimeve kanë mbetur të pandëshkuara.