Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka marrë kërkesë nga institucionet e Kosovës për të ndërmjetësuar transferimin e ish-policit serb, Dejan Pantiç.
“Në linjë me mandatin e tij, EULEX po monitoron rastin e D.P”, u tha në përgjigje.
Dejan Pantiç, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.
Autoritetet në Kosovë dyshojnë se ai ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.
Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor, shqiptoi një muaj paraburgim.
Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë të ditur se ku po mbahet Pantiqi.
As EULEX-i nuk ka bërë të ditur se ku po mbahet ai ose si do të veprojnë lidhur me kërkesën për transferimin e tij.
EULEX tha po ashtu tha se përveç Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, ky mision është në kontakt edhe me avokatin e Pantiqit, “i cili ka kërkuar nga misioni që ta monitorojë rastin”.