SPAK çoi sot për gjykim Altin Hajrin, pronar i Komplektsit Golden, i akuzuar për 4 vepra penale. Ai është i implikuar në rrëmbimin dhe vdekjen e Jan Prengës, janarin e vitit 2020. Jan Prenga u rrëmbye mesditën e 17 janarit 2020 pranë banesës së tij, në rrugën ‘London’ në Kamëz.
Disa persona e dhunuan dhe e futën me forcë në një automjet, ndërsa 11 ditë hetime intensive e çuan policinë në një resorti në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit.
Për pengmarrjen uniformat blu arrestuan 4 persona: Olsi Turja dhe Bajram, Elton e Leonard Hajri të gjithë nga Shijaku.
Sipas SPAK, rrëmbimi i Prengës erdhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokainë të mbërritur nga Ekuadori në portin britanik Portsmouth.
Për këtë dosje është çuar në gjyq edhe Dritan Rexhepi. Ai është arratisur nga drejtësia në Ekuador. Pak ditë më parë ai u dënua me 20 vite burg edhe nga drejtësia italiane.
Të pandehurit;
Dritan Rexhepi
Gentjan Funiqi
Martin Bleta
Korado Keshteja
Artan Doçaj
Aldo Majnishta
Geraldo Martini
Altin Hajri
Si u arratis Dritan Rexhepi?
“The Telegraph” pak muaj më parë vendosi në shënjestër një nga emrat më të bujshëm të krimit të organizuar. Dritan Rexhepin, dënuar në Ekuador, i arratisur dhe i kërkuar në Shqipëri.
“Ai thuhet se ka organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e dyshuar të vëllait të Prengës (Jan Prenga) në Shqipëri” thuhej në shkrim.
Në nëntor të vitit të kaluar, Rexhepi u lirua me kusht nga burgu për akuzat e trafikut të drogës, pavarësisht se konsiderohej si rrezik për t’u arratisur dhe kështu ndodhi.
“39-vjeçari iu tha që të paraqitej pranë autoriteteve çdo 15 ditë derisa t’i mbaronte dënimi në vitin 2027. Nga janari i këtij viti, ai nuk është paraqitur” thotë gazeta britanike.
Argumenti mbrojtës i shqiptarit ishte se ai ka lupus, një sëmundje autoimune, e cila mund të prekë kyçet, lëkurën dhe disa organe. Në seancë ai tha se gjendja e tij ishte e komplikuar për shkak të mungesës së kujdesit mjekësor dhe trajtimit të nevojshëm. Gjyqtari e liroi me kusht, por Rexhepi u arratis.
Dritani përdorte edhe emrat Lulezim Murataj, Rexhepaj Gramoz, Rexhepai Dritan, Ioannis Dionysopoulos dhe Edmir Kraja. Rexhepi konsiderohet shumë i rrezikshëm në Evropë, ku njihet si “Mbreti i arratisjeve” pasi është arratisur nga tre burgje në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë.
Morën peng dhe vranë Jan Prengën! SPAK çon në gjyq biznesmenin dhe Dritan Rexhepin