Autoritetet shqiptare dhe ato belge kanë nisur një sërë letër porosish për të arrestuar dhe ekstraduar Valmir Kolën, autorin kryesor të dyshuar të vrasjes së Briken Sanajt, në Kodrën e Diellit në Tiranë, rreth dy muaj më parë.
Duket se atentati ndaj Sanajt ka qenë i mirëmenduar që në Belgjikë, aty ku prej vitesh jetonte Valmir Kola, i njohur edhe me emrin Vladimir.
Nga të dhënat e Europol, ka rezultuar se një javë para se të ndodhte ngjarja, Kola kishte udhëtuar nga Belgjika drejt Spanjës me avion dhe më pas në drejtim të Malit të Zi.
Prej andej, ai ka hyrë në mënyrë ilegale në vendin tonë, ku më datë 24 tetor, 6 ditë para vrasjes, është takuar në Shëngjin me dy shtetas kosovarë që u bleu makinën Mercedes Benz që përdori në krim.
Burime të sigurta pranë grupit hetimor, thanë për ABC News, se pikërisht me këtë makinë, Kola ka udhëtuar nga Shëngjini në Tiranë më datë 26 tetor të dhe për 4 ditë me radhë ka vëzhguar më së miri zonën në Kodrën e Diellit, ku kreu dhe vrasjen e Briken Sanajt.
Të njëjtat burime, sqaruan se gjatë rrugës, Kola ka bërë disa ndalesa, dhe nga kqyrja e kamerave të sigurisë është bërë identifikimi i tij.
Si provë të fortë, policia ka edhe pamjet e kamerave në lokalin që u bë shit-blerja e makinës, si dhe numri i shasisë së mjetit që ai dogji në Kodër-Kashar. Pasi kreu vrasjen, Valmir Kola u largua sërisht drejt Belgjikës 3 ditë pas krimit në mënyrë ilegale.
Sipas policisë, vrasja e Briken Sanajt është kryer për hakmarrje. Konflikti mes dy familjeve ka nisur 10 vite më parë për shkak të ngacmimit të një vajze. Në atë kohë, në sherr janë përfshirë vëllai i viktimës me vëllain e autorit.
Në kërkim policia ka shpallur edhe vëllain e Valmir Kolës, Agustin Kolën që ndodhet në Spanjë, si person që mund të kishte djeni për krimin. Ndërsa dy kosovarët Kened Antoni dhe Gjelosh Krasniqi që i shitën makinën Kolës, janë në kërkim për përkrahje të autorit të krimit, si dhe moskallëzim krimi.