Presidenti turk Tajip Erdogan tha të shtunën se nëse ka pasur gabime në vendimin për dënim me burg ndaj kryetarit të bashkisë së Stambullit, gjykatat do t’i korrigjojnë ato në procesin e apelit, por shtoi se turqit nuk kanë të drejtë të shpërfillnin vendimet ligjore.
Në komentet e tij të para të drejtpërdrejta pas dënimit të rivalit politik të zotit Erdogan, Ekrem Imamoglu me dy vjet e shtatë muaj burg dhe ndalim të aktivitetit politik të tij, presidenti turk tha se nuk i intereson se cili do të jetë kandidati i opozitës në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Zoti Imamoglu u ndoq penalisht për fyerje ndaj zyrtarëve publikë në vitin 2019, kur ai kritikoi një vendim për anulimin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale që ai kishte fituar kundër qeverisë aktuale 25-vjeçare të Partisë AK të Erdoganit.
Mijëra vetë protestuan të premten për të dytën ditë para bashkisë së Stambollit për të denoncuar vendimin që mund të çojë në rrëzimin e kryetarit të bashkisë nga detyra dhe ndalimin e kandidimit të tij në zgjedhje.
Kryebashkiaku Imamoglu planifikon ta apelojë vendimin. Partitë opozitare pretendojnë se gjyqi ndaj tij ishte një përpjekje për të eliminuar një rival politik të Presidentit Erdogan, i cili planifikon të rikandidojë vitin e ardhshëm. Sondazhet kanë treguar se zoti Imamoglu kishte shanse të fitonte ndaj udhëheqësit turk.