Pasditen e sotme në orën 16:00 në stadiumin “Khalifa International”, Kroacia dhe Maroku përballen për vendin e tretë në Kupën e Botës “Katar 2022”. Dy ekipet do të synojnë medaljen e bronztë në atë që cilësohet si finalja e vogël.
Kroacia, e eliminuar në gjysmëfinale nga Argjentina, pasi mposhti Japoninë dhe Brazilin, synon të përfundojë sërish në podium, teksa katër vite më parë, në Rusi, ishte nënkampione bote.
Maroku, surpriza më e madhe e turneut, u bë skuadra e parë afrikane që arrin në gjysmëfinale të Botërorit.
Skuadra e Regraguit, pasi kaloi grupin duke lënë në vend të dytë Kroacinë e Dalicit, eliminoi Spanjën në 1/8 dhe Portugalinë në çerekfinale, përpara se të dorëzohej para kampionëve në fuqi të Botës.