Sekretari i Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi akuzoi sot se në kulmin e krizës energjitike KESH nëpërmjet një vendimi “tërësisht abuziv ka vendosur të shesë energjinë elektrike shumë herë më lirë se sa tregu”.
Konkretisht, sipas tij “për periudhën 16 dhjetor – 18 dhjetor 2022, KESH ka vendosur të shesë energjisë me 115 Euro/MWh, ndërkohë që në bursë çmimi i tregtuar është 318 Euro/MWh dhe 325 Euro/MWh”.
Pra, vijon më tej Blushi, “praktikisht energjia elektrike po shitet nga KESH 2.7 herë më lirë se tregu, çka do të thotë 2.7 herë më pak të ardhura në Buxhetin e Shtetit, fonde të cilat mund të ishin përdorur për subvencionimin e familjeve në nevojë që nuk kanë mundësi të ngrohen në dimër ose të përballojnë çmimin e lartë mbi 800 kw në muaj”.
“Skandali nuk mbaron me kaq. KESH ka vendosur gjithashtu që edhe për datat 19 dhjetor 2022 deri në 23 dhjetor 2022 të shesë energjinë elektrike me çmim 167 euro/mwh kur çmimi i tregut pritet të jetë 2.5 herë më shtrenjtë se sa e shet KESH.
Ky skandal dhe abuzim me të mirën publike tregon edhe njëherë se fokusi i Qeverisë nuk janë familjet në nevojë dhe as shtimi i fondeve në Buxhetin e Shtetit por aferat korruptive me energjinë, pasojat e të cilëve po i vuajnë më shumë se kurrë qytetarët shqiptarë.
37% e të cilëve sipas të dhënave të bëra publike më herët nga Komuniteti i Energjisë së Europës, nuk kanë mundësi financiare të ngrohin dot banesat e tyre gjatë dimrit” deklaron Blushi.