Policia e Kosovës ka njoftuar se forcimi i rendit dhe sigurisë publike, parandalimi i akteve kriminale si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në gjithë vendin, përfshirë zhvillimet në veri të vendit mbesin ndër prioritetet e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi thotë se situata në dy pikat kufitare n% veri të Kosovës mbetet e njëjtë.
“Që nga vendosja e nëntë (9) barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare “Jarinje” dhe “Bërnjak” ende mbesin të mbyllura për qarkullim”, thuhet në njoftim.
Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, policia thotë se janë krijuar rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme.
“Edhe përkundër këtyre rrethanave të krijuara në veri të vendit, Policia e Kosovës po angazhohet me të gjitha format që t’iu dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallime, si dhe të punojë në parandalimin e akteve kriminale, të cilat po organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale të organizuara nga brenda dhe jashtë Kosovës”, thuhet në njoftim.