Në platformën e MPJ përmendet një notë verbale e ambasadës greke në Tiranë, e datës 25 shkurt 2010, në të cilën ajo thotë se do të zbatoje vetëm marrëveshjen e paqënë të prillit 2009.
Ky fakt i paditur për publikun, që ka formën e një presioni të hapur kërcënues, është përsëritur me gojën plot nga pothuajse të gjithë ministrat e jashtëm të Greqisë, të këtyre tre viteve të fundit. Ata janë shprehur se ne presin nga Shqipëria që të fillojë zbatimin e marrëveshjes dhe t’i dalë zot firmës që ka hedhur në të.
Në këto zhvillime, mendoj se është rasti që MPJ, ta tejkalonte disi politesën diplomatike dhe t’i deklaronte palës greke zyrtarisht, në formën e duhur legale, me qetësi dhe korrektësi, se për këtë çështje nuk ka asnjë marrëveshje.
Madje ajo duhet të kishte reaguar zyrtarisht edhe kur mbërriti njoftimi i parë se grekët kishin ndaluar peshkatarët shqiptarë të gjuanin peshk brenda ujërave shqiptare, nën pretendimin absurd se tashmë ato nuk ishin me shqiptare, por greke.
MPJ duhet të kishte reaguar edhe kur organet kompetente greke deklaruan zyrtarisht se kishin dhënë koncensionet e kërkimit të hidrokarbureve në zonat që përfshihen në ujërat që ata, nëpërmjet marrëveshjes së paqënë, i quajnë të tyre. Në këtë rast duheshin kërkuar shpjegime zyrtare se përse bëhej fjalë, cilat ishin koordinatat e sakta të zonës ku do të operohej dhe të shprehej dëshira që pala shqiptare të mbahej e informuar në vazhdimësi.
Së fundi, MPJ duhet t’ia kishte bërë të qartë palës greke se kufiri shqiptaro-grek në ujërat detare në kanalin e Korfuzit dhe në detin Jon është ai që ka qënë para datës 27 prill 2009, kur u nënshkrua marrëveshja e pavlefshme dhe nuk është zhvendosur as edhe një milimetër në brendësi të territorit shqiptar. Për pasojë, ajo duhet t’i kërkojë palës greke mirëkuptimin e duhur institucional që të heqë dorë nga deklarimet e pavlefshme juridike dhe aq më tepër të mos cenojë integritetin territorial të Shqipërisë në këtë zonë.
Duhet besuar se kjo është bërë. Por përsa kohë që situata vazhdon të jetë siç ka qënë dhe herë pas here prodhon episode që nuk iu shërbejnë marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, marrëveshja duhet të ripërsëritet.
Nuk duhet besuar se grekët mund ta përdorin këtë si shkak për të vendosur veton me qëllim që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat në BE, sikurse thuhet në një nga skenarët. Në krye të këtij shteti fqinj me të cilin Shqipëria ka ndërtuar marrëdhënie miqësore, duhet të ketë tashmë njerëz të iluminuar që duhet ta kenë kuptuar se nuk mund të ndërtosh marrëdhënie me fqinjët mbi bazën e mashtrimeve, hileve, kërcënimeve e presioneve dhe të pretendosh që prej tyre të presësh miqësi e bashkëpunim konstruktiv.
Edhe sikur të marrim rastin më ekstrem, që për shkak të kompozimit politik multikolor të mazhorancave qeverisëse në Greqi, të ketë elemente ekstremistë që mendojnë akoma me mentalitete arkaike të së kaluarës së dikurshme, qëndrimi ynë bazë do të duhet të mbështetet fuqimisht gjithmonë mbi parimet dhe normat themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe të legjislacionit tonë kombëtar.
Çdo largim prej tij, çdo rrëshqitje drejt pazarllëqeve e kompromiseve të paprincipta është i kundërligjshëm dhe shumë i dëmshëm. Në historinë e vendit tonë ka jo pak precedentë të hidhur që kanë qënë rezultat i qëndrimeve të tilla.
Këto janë çështje të mëdha që kanë të bëjnë me interesa primordiale kombëtare që prekin territorin dhe që shtrihen gjatë në kohë, duke ndikuar në fatet dhe jetët e brezave të ardhshëm.
Si konkluzion mund të thuhet se pavarësisht skenarëve të përgatitur nga MPJ për restaurimin e situatës në rajonin detar kufitar me Greqinë, zgjidhjet që do të propozohen duhet të mbajnë parasysh se qëndrueshmëria e marrëdhënieve dypalëshe dhe miqësia shqiptaro- greke kërkojnë respektimin rigoroz të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë mënyrë gjithë kompleksi i lidhjeve të shqiptarëve dhe të grekëve, dy popujve miq, nga më të lashtët e gadishullit dhe të kontinentit, do të çlirohet realisht dhe përfundimisht nga pengjet e një të kaluare toksike./DITA