Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë ka krijuar një panoramë të re të sigurisë në Europë. BE-ja duket se është zgjuar nga gjumi dhe vlerëson nevojën për të ripërtërirë angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor në këto kohë stuhie, ku Rusia mund të përdor potencialin e saj duke shfrytëzuar mosmarrëveshjet e pazgjidhura të shtetësisë në rajon, megjithëse reputacioni ndërkombëtar i saj është rrënuar ndjeshëm.
Gjëja e fundit që i duhet tani është një tjetër goditje poshtëruese që do të ekspozonte se sa pak leva ndikuese ka ajo në të vërtetë mbi çështjet e pazgjidhura në Europën Juglindore, në rast se BE-ja dhe shtetet e rajonit angazhohen strategjikisht në një proces që sjell veçse përftime të dynashme, siç është jetësimi i procesit të anëtarësimit në BE.
RISITË E SAMITIT TË TIRANËS
Vështruar në këtë kontekst, zhvillimi i të parit Samit BE – Ballkan Perëndimor në Tiranë, duhet lexuar si shprehje e investimit të BE-së në rajon, për shkak të dinamikës së re të krijuar në Europë. Samiti ishte një mundësi e mirë për shtetet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për të shqyrtuar përgjigjen e përbashkët si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë, intensifikimit të dialogut politik dhe politikës së zgjerimit, si dhe forcimit të sigurisë e qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja.
Siç ndodh rëndom në Ballkan, ishte e pamundur që Samiti të mos shoqërohej me drama të stisura. Fillimisht, Serbia deklaroi mospjesëmarrjen, për shkak të tensioneve me Kosovën. Ndërkohë, në deklarimin për mediat në nisje të Samitit, Presidenti i Serbisë rikonfirmoi aleancën me Rusinë duke mos pranuar bashkimin e vendit të tij me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, edhe pse një prej qëllimeve të Samitit ishte sigurimi i një përgjigjje të përbashkët përkundrejt Rusisë.
Zgjedhja e Shqipërisë si vend mikpritës, nuk ishte çështje e rendit alfabetik e as rastësi, por tregues i besimit të palëkundur të partnerëve tanë, për shkak të qëndrimeve të linjëzuara që vendi ynë ka mbajtur në vazhdimësi, si pjesë e familjës euro-atlantike.
Përmbajtja e deklaratës së Samitit të Tiranës, në dallim nga ato Sofies, Zagrebit dhe Brdos është një hap përpara, pasi jo vetëm rikonfirmon angazhimin e plotë të BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, por edhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit, bazuar në reformat e besueshme, kushtëzimin e ndershëm e rigoroz dhe meritën individuale, si një proces me interes të ndërsjellë për rajonin dhe BE-në.
Bashkimi i të gjitha shteteve të rajonit me sanksionet e vendosura nga ana e BE-së ndaj Rusisë, konsiderohet si demonstrim i angazhimit strategjik për linjëzimin e qëndrimeve dhe gadishmërisë së vendeve tona për të zbatuar detyrimet që burojnë nga procesi i anëtarësimit në BE.
Gjithashtu, paketa për mbështetjen e energjisë për rajonin nga ana e BE-së, si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë nga Rusia, është investim në strukturën ekonomike të rajonit për të avancuar në tranzicionin e energjisë së pastër dhe për të dalë më të gjelbër, më të fortë dhe më të qëndrueshëm nga kriza aktuale. Funksionalizimi i platformës së përbashkët për blerjen e gazit, LNG-së dhe hidrogjenit për Ballkanin Perëndimor, konsiderohet si një lëvizje për të reduktuar varësinë nga gazi rus. Kjo lëvizje e BE-së rrëzon çdo alibi të Serbisë për mosbashkim me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Puna për zbatimin e agjendës së Ballkanit Perëndimor për inovacionin, kërkimin, arsimin, kulturën, rininë dhe sportin dhe përfshirja graduale e rajonit në programet e BE-së si Erasmus+, Korpusi Europian i Solidaritetit dhe Nisma e Universiteteve Europiane, synon krijimin e mundësive të mëtejshme për të rinjtë. Nisma për Universitetet Europiane krijon mundësinë që institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor të marrin pjesë në projekte ambicioze dhe të zhvillojnë bashkëpunim afatgjatë me universitetet europiane.
Vazhdimi i zbatimit të Planit Ekonomik të Investimeve, Agjendës së Gjelbër dhe asaj Digjitale për Ballkanin Perëndimor do të ndihmojë në forcimin e ekonomisë së rajonit, duke përfshirë mbështetjen e mëtejshme për diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji.
Po kështu, reduktimi i tarifave të roaming mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2023, me synim heqjen e plotë të tyrë në të ardhmen, pritet të ketë një impakt pozitiv tek qytetarët.
Me qëllim integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së, Tregu i Përbashkët Rajonal, i dakorduar në kuadër të Procesit të Berlinit, vlerësohet si hap përgatitor. Bërja realitet sa më parë e Tregut të Përbashkët Rajonal do të stimulonte tregtinë ndërrajonale dhe do të tërhiqte më shumë investime, megjithëse duhet pranuar se kapacitetet për tregtinë ndërrajonale janë modeste.
Linjëzimi i shpejtë i të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor me politikën e vizave të BE-së është i një rëndësie parësore për menaxhimin e migracionit dhe moscënueshmërinë e regjimit pa viza në hapësirën Schengen midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
SI MUND TË ZBUTET HENDEKU MIDIS BE DHE BALLKANIT PERËNDIMOR?
Megjithëse Samiti BE – Ballkan Perëndimor i mbajtur në Tiranë, shënon një hap të rëndësishëm përpara, padurimi për afatizimin e procesit të anëtarësimit në BE është i madh. E njejta gjë mund të thuhet edhe për ofrimin e instrumenteve politik dhe ekonomik që mundësojnë një gjë të tillë dhe që zbusin hendekun zhvillimor, që veçse thellohet me kalimin e kohës mes nesh dhe BE-së.
Që prej Samitit të Selanikut të vitit 2003, ku u konfirmua vullneti i BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, vetëm Kroacia ka arritur të jetë pjesë e BE-së, dhe vitin që vjen pjesë e zonës Euro dhe Schengenit. Edhe pse një lajm i gëzuar për të gjitha vendet e rajonit, është i pamohueshëm fakti se hendeku mes Kroacisë fqinje dhe pjesës tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor është rritur ndjeshëm që prej anëtarësimit të saj në BE.
Fryma e procesit të zgjerimit të vitit 2004, e cila ishte përqafuese pa hezitim e konceptit për një Europë të pandarë, të lirë dhe në paqe, u zbeh, për shkak të zhvillimeve brenda gjirit të BE-së. Rrëzimi i projekt Kushtetutës Europiane nga francezët dhe hollandezët në vitin 2004; kriza financiare e vitit 2008 dhe kriza e refugjatëve në vitin 2015 nxorën në pah dallime të qenësishme mes jugut dhe veriut të BE-së në planin ekonomik, dhe perëndimit e lindjes së BE-së në planin e vlerave dhe lirive themelore.
Kjo situatë forcoi bindjen e elitave drejtuese në rajon se, procesi i anëtarësimit në BE po kthehej gjithnjë e më shumë në një proces fasadë, ku palët në mënyrë të ndërsjellë përkushtohen vetëm në mënyrë deklarative. Zhvillimet në rajonin tonë janë dëshmi e iluzioneve të humbura që nga epoka e artë e viteve 2003-2005, kur fuqia e butë e Bashkimit Europian duhej ta transformonte edhe Europën Juglindore, me besim se demokracia dhe ekonomia e tregut do të gjenin shtratin e duhur pas rënies së Murit të Berlinit.
Sot “modeli europian” është dobësuar nga fuqitë konkurruese që duan të imponojnë një rend të ri botëror, me vlera të ndryshme, që shpesh promovohen paradoksalisht edhe nga disa vende anëtare të BE-së. Ndërkaq, në rajonin tonë procesi i normativizimit europian të jetës publike nuk është shoqëruar me transformimin e dëshiruar demokratik, duke vendosur pikëpyetje për besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe pronësinë lokale mbi reformat.
Suksesi i reformave në fushën e sundimit të së drejtës është i lidhur me suksesin ekonomik dhe të ardhurat e individit. Besimi se sistemet demokratike do të sjellin vetvetiu një transformim të tillë është tulatur. Ky është një nga shpjegimet e rrëshqitjes demokratike dhe rritjes së populizmit.
Kështu, duke pritur jashtë dyerve të BE-së, rritja ekonomike e vendeve të Ballkanit Perëndimor është ngadalësuar. Të ardhurat individuale janë afërsisht 30%-40% të mesatares së BE-së. Natyrisht, gjërat do të ishin ndryshe nëse BE-ja do ta trajtonte Ballkanin Perëndimor me të njejtin solidaritet siç trajton të prapambeturit ekonomik brenda gjirit të saj, shumica prej tyre në skajin juglindor të Unionit. Konvergjenca e tyre është përshpejtuar në mënyrë mbreslënëse përmes fondeve dhe instrumenteve që ata vazhdojnë të marrin nga BE-ja.
Mënyra më e mirë për të përmirësuar bashkëpunimin në rajonin tonë është zbatimi i politikave që synojnë rritjen e të ardhurave individuale. Për shembull, transfertat nga buxheti i BE-së tek anëtarët e rinj në Europën Qendrore e Lindore konsiderohen faktori kryesor shtytës i rritjes së të ardhurave individuale. Dyfishimi i mbështetjes financiare për këto shtete solli edhe rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) me rreth 14%. Mesatarisht, transfertat e buxhetit të BE-së përbejnë rreth 33% të PBB-së së shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore. Për t’i paraprië këtij procesi, shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të garantojnë zbatimin e normave europiane në fushën e prokurimit publik dhe konkurrencës, sikundër të përmirësojnë parametrat dhe indikatorët matës të luftës kundër korrupsionit.
Tregu i Përbashkët Rajonal, i dakordësuar në kuadër të Procesit të Berlinit, nuk mund të jetë zgjidhja e artë për shtetet e rajonit, pasi Ballkani Perëndimor varet nga tregtia dhe investimet e huaja direkte me origjinë nga BE-ja në një masë shumë më të madhe sesa nga tregtia mes vedi. Gjithsesi, ai duhet konsideruar si një platformë përgatitore për anëtarësimin në BE. Eksperienca e shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore na tregon se pas anëtarësimit në BE, shkëmbimet mes tyre në mallra e shërbime u rritën me rreth 50%. Pak a shumë e njejta logjike vlen edhe për rajonin tonë, në rast se materializimi i Tregut të Përbashkët Rajonal shoqërohet me investime në indërlidhjen e infrastrukturës, energjisë dhe mjedisit.
Nuk duhet harruar se ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë thellësisht të integruara në superstrukturën e BE-së. Rritja e investimeve në rajon në funksion të përmirësimit të infrastrukturës, mjedisit apo sektorëve të tjerë, do të kthehej në një përfitim të menjëhershëm edhe për anëtarët e BE-së përreth rajonit tonë. Integrimi ekonomik i Ballkanit Perëndimor me BE-në është i thellë dhe nuk mund të zëvendësohet lehtësisht nga partnerë të tjerë ekonomikë. Duke qenë kështu, BE-ja duhet të financojë në mënyrë adekuate konvergjencën socio-ekonomike dhe mjedisore të rajonit me BE-në.
Trajtimi i Ballkanit Perëndimor si pjesë e BE-së është e vetmja mënyrë për të zbutur hendekun zhvillimor dhe frenuar sadopak fenomenin e shpopullimit. Barra financiare e vlerësuar për anëtarët e BE-së do të varionte midis 0.014% dhe 0.026% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), apo në një shumë vjetore mes 1.6 euro dhe 10.8 euro për frymë. Kjo është një barrë e papërfillshme për BE-në, por një investimin gjeostrategjik që shoqërohet me një divident të madh politik, e që do të shënonte zgjerimin përfundimisht të sovranitetit të BE-së mbi të gjithë Europën Juglindore.
ANËTARËSIMI NË BE JO ZGJEDHJE, POR DOMOSDOSHMËRI
Deri dje anëtarësimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE konsiderohej si zgjedhje. Mirëpo pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë ka rritur ndërgjegjësimin për cënueshmërinë e Ballkanit Perëndimor. Ndaj, anëtarësimi në BE nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri.
Nisja e bisedimeve për anëtarësim në BE nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut; marrja e statusit të vendit kandidat nga Bosnje Hercegovina; aplikimi për anëtarësim nga Kosova, dhe vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave me Kosovën që pritet të hyjë në fuqi jo më larg se 1 Janari 2024; janë dëshmi e një vrulli të ri në marrëdhëniet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në këto kohë stuhie. Ky vrull i ri manifestohet edhe në mbajtjen e dy samiteve brenda një kohë të shkurtër. Një në Tiranë, ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Dhe një tjetër në Berlin, që shënoi ripërtëritjen e Procesit të Berlinit dhe mbështetjen e integrimit ekonomik rajonal të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në funksion të përgatitjes së tyre për t’u bashkuar me tregun e BE-së.
Megjithatë, duke lënë mënjanë simbolizmin, BE-ja nuk duket ende e gatshme që të punojë me vendet e Ballkanit Perëndimor për një kalendar konkret anëtarësimi, bazuar mbi reforma të qenësishme, me impakt për jetën e qytetarëve. Bie fjala, nuk është e sigurt që ndonjë nga gjashtë shtetet e rajonit do të jetë në gjendje të bashkohet deri në fund të kësaj dekade me BE-në.
Nga ana tjetër, Gjermania, Franca dhe shtete të tjera me peshë brenda BE-së kanë hedhur idenë se anëtarësimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të mund të bëhet realitet vetëm pas reformimit të vendimmarjes dhe mënyrës së përfaqësimit institucional në BE. Paradoksalisht, shtetet që kundërshtojnë propozimet për reformimin e BE-së, që në thelb kanë të bëjnë me heqjen e të drejtës së vetos në fusha të tilla si politika e jashtme apo buxheti, janë edhe shtetet më të zëshme në mbështetje të procesit të zgjerimit të BE-së.
Që ky vrull i ri në marrëdhëniet BE – Ballkan Perëndimor të kurorëzohet me sukses, BE-ja duhet ta shfrytëzojë momentin gjeopolitik jo vetëm për ndalimin e acarimit të mëtejshëm të klimës së bashkëpunimit në rajon. Zgjidhjet e vjetra, që nuk adresojnë shkakun por pasojën, për konfliktet e pazgjidhura që prej mbarimit të luftrave në ish Jugosllavi, e vendosin BE-në shpesh në pozicionin e zjarrëfikësit.
Në këtë luftë që po zhvillohet në kontinentin tonë, më mirë se kushdo tjetër Europianët e kanë kuptuar gabimin e madh të mbështetjes për vite me radhë tek Rusia në lëmin ekonomik, me shpresën se bashkëpunimi ekonomik do të shërbente si zbutës i mosmarrëveshjeve politike. Qasja “fillimisht ekonoma e më pas politika” ra jo vetëm në raport me Rusinë, por edhe në raportin e komplikuar të SHBA-ve me Kinën që po zhvillohet në hapësirën e Indo-Paqësorit.
Ky mësim është udhërrëfyes edhe në raport me njohjen e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës, e cila, në kushtet aktuale të mjedisit të sigurisë në Europë, përbën domosdoshmëri. Serbia, në raport me Kosovën, është mbi të gjitha para zgjedhjes së rrugës europiane. Për këtë shkak, Gjermania dhe Franca janë përfshirë së fundmi edhe më drejtpërdrejt në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga ana e BE-së. Proces, që mbështetet fuqimisht nga SHBA-të.
Përballë presionit në rritje, Serbia edhe pse pretendon anëtarësimin në BE, refuzon të linjëzoj qëndrimet në politikën e jashtme me ato të BE-së, duke mos u bashkuar me paketën e sanksioneve të kësaj të fundit kundër Rusisë. Për më tepër, në votimin e fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për evidentimin e krimeve ruse në Ukrainë, Serbia nuk u bashkua me vendet e botës demokratike, duke shënuar një hap pas në krahasim me votimet e saj të mërparshme në lidhje me luftën që po zhvillohet në kontinent.
Pretendimet për rikthim të forcave serbe në Kosovë, më shumë se sa kërcënim për integritetin territorial të Kosovës, synojnë të minojnë investimin euro-atlantik në rajon dhe të shërbejnë si strehë e rehatshme për mos lëvizuar nga politika megallomane e uljes në disa karrige. Në rast se Serbisë i duhet më shumë kohë për të pranuar realitetin e pakthyeshën në rajon, dhe njëkohësisht për të bashkuar qëndrimet e saj me ato të BE-së, kjo e fundit nuk duhet të humb më kohë me investimin e saj në rajon për transformimin e “gjeografisë së armiqësisë” në një gjeografi të paqes e prosperitetit brenda BE-së.
Në funksion të arritjes së këtij objektivi, BE-ja duhet të zbatojë politikën e “shkopit dhe karrotës”, duke ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e standardeve themelore të demokracisë, shtetit të së drejtës, lirisë së medias, lirive ekonomike, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vetëm shpërblimi i reformave të vërteta bazuar në një kalendar anëtarësimi për në BE, krijon parashikueshmëri e besueshmëri në proces, por edhe energji pozitive e stimuj për agjentët e ndryshimit në shoqëri. Le të mos harrojmë se vitin tjetër mbushen 20 vjet nga Samiti i Selanikut dhe ende nuk shohim në horizont ankorimin e plotë të rajonit në rrjedhat europiane.