Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka njoftuar ditën e sotme se paga minimale në vend do të rritet sërish më 1 janar të vitit të ri.
Paga minimale e Turqisë, e cila po përballet me inflacion prej më shumë se 84 % në vit, do të rritet sërish më 1 janar në 8 500 lira neto turke (rreth 455 dollarë) për herë të tretë brenda një viti.
Mbi 40% e turqve jetojnë me pagën minimale. Kjo pagë ishte 2 826 lira turke në fund të dhjetorit 2021, një shifër e cila ishte pak më pak se 300 dollarë në atë kohë.
Kjo u rrit në 4 253 lira turke në janar të këtij viti dhe 5 500 në korrik, pagë e pamjaftueshme për të jetuar në qytetet kryesore si Stambolli.
Duke pranuar se vendi po kalon një “periudhë kritike”, më pak se 6 muaj nga zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që priten pranverën e ardhshme, Erdogan premtoi një rënie të shpejtë të inflacionit nga fundi i muajit.
“Ne jemi të vendosur të ulim inflacionin me 20% deri në fund të vitit të ardhshëm,” premtoi ai.
Sindikatat kishin kërkuar 9 500 lira turke në muaj, por kreu i shtetit tha se nuk mund të arrihet marrëveshje.
Sipas të dhënave zyrtare rritja e çmimeve të konsumit tashmë është ngadalësuar në nëntor në Turqi për herë të parë që nga maji 2021, në 84.4% nga viti në vit.
Megjithatë, një grup ekonomistësh të pavarur vlerësojnë se inflacioni real është më shumë se dyfishi, pasi monedha turke ka humbur pothuajse 30% të vlerës së saj vitin e kaluar.