Është mbajtur edicioni i ri i “Golden Foot” në Monaco të Francës.
Çmimi Golden Foot është një çmim ndërkombëtar futbolli, që u jepet lojtarëve që dallohen për arritjet e tyre atletike.
Çmimi u jepet vetëm lojtarëve aktivë mbi moshën 28 vjeçare dhe ky çmim mund të fitohet vetëm një herë.
Në fakt është hera e parë që ky çmim jepet për femra, pasi që nga viti 2003 të gjithë fituesit ishin meshkuj.
Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski ka fituar këtë edicion në konkurrencën e meshkujve ndërsa sulmuesja me prejardhje nga Kosova, Kosovare Asllani në konkurrencën e femrave.
Ky çmim ndahet që nga viti 2003 kur i pari që e kishte fituar ishte Roberto Baggio, ndërsa pas tij këtë çmim e kanë marrë edhe emra të mëdhenj të futbollit si Ronaldo, Del Piero, Ronaldinho, Totti, Ibrahimovic, Drogba, Iniesta, Modric, Cristiano Ronaldo etj.
Përmes një postimi në Instagram Asllani shprehu lumturinë dhe krenarinë për çmimin e fituar.
“Faleminderit Monakos, Princit Albert, Presidentit Antonio dhe gjithë organizatës. Ky çmim përfaqëson futbollin e femrave dhe sa larg ka arritur, por pjesa më e mirë është se ne sapo kemi filluar”, ka shkruar Asllani.