Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj është përfshirë në një debat me akuza, fyerje dhe ofendime me dy deputetët e PD-së, Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi për gjendjen ekonomike, shpenzimet dhe inflacionin.
Pjesë nga debati në Kuvend
Jorida Tabaku: Ndodhemi në ditët e fundit të 2022 dhe qeverisa shqiptare nuk ka shfrytëzuar 40% të të ardhurave, qeveria shqiptare është e paaftë që të menaxhojë një buxhet dhe punon vetëm një muaj në fundvit nga 12 muaj që ka viti, mbledh të ardhura vetëm një muaj në fundvit e krenohet se ka mbledhur më shumë të ardhura mbi 500 milion Euro e krenohet se është një shtet i madh, shtet i madh nënkupton qytetarë të varfër, nënkupton buxhet familjar të varfër dhe unë nuk besoj se duhet të ketë krenari sot këtu kur i drejtohemi familjeve shqiptare që taksat e tyre po i shpenzojmë në këtë mënyrë. Ky sistem ka mundësuar sot që inflacioni socialist, po është inflacion socialist, jo i luftës të prekë të gjitha shtresat e qytetarëve që ndjehen të pambrojtur, por veçanërisht prek shtresat e mesme, atë shtresë që është dhe duhet të ishte bërthama e një shoqërie në zhvillim.
Delina Ibrahimaj: Ku jetoni ju, në cilën botë jetoni ju dhe cilin realitet u servirni shqiptarëve. Në cilin vend jetoni ju? Inflacioni është i Putinit, nuk është i socialistëve dhe Shqipërisë.
Mos fol nga vendi se nuk të shkon. O Zot! U desh këtu të ngrihet opozita e vulës dhe të flasë për ekonominë. Shqiptarët tregojnë se kemi rritje të konsumit.
Lindita Nikolla: O Zoti Bardhi boll se e tepruat.
Gazment Bardhi: Trego kush ta ka dhënë shtëpinë njëherë, kujt i është shtëpia ku jeton? Shërbëtore e oligarkëve.
Jorida Tabaku: Të të vijë turp ty, që më thua mua opozita e vulës që ke ardhur nga rruga. Turp të të vijë.
Lindita Nikolla: O Zoti Sula, filluat edhe ju tani!
Jorida Tabaku: Ministrja është e paaftë. Zonja ministre po të them edhe njëherë, ka shumë kolegë që flasin nga mazhoranca që nuk na pëlqejnë mendimet, por jo arrogancën tënde dhe sikur thotë zoti Bardhi, as korrupsionin tënd.