Në javët e fundit në media kanë dalë disa dokumente që implikojnë ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj si të lidhur me njërin nga pronarët e kompanive të inceneratorëve, Klodian Zoto, i cili sipas dokumenteve të paraqitura në SPAK, i ka paguar udhëtime luksi deputetit socialist.
Përpos akuzave për pronarët, Sali Berisha tha sot se dokumentet në media i ka nxjerrë Erion Veliaj, për të cilin kërkoi hetim për lidhje deri në Iran.
“Ato dokumente i ka nxjerrë Erion Veliaj. Erion Veliaj kundër Arben Ahmetajt. Por a mundet një prokuror të fshehtë dokumentet dhe të mos i konsiderojë? Kjo doli nga brenda. Ose Veliaj pagoi apo urdhëroi dhe ky është korrupsion.
Ka bërë përgënjeshtrim SKAP-i për këtë? Jo. Djegësat po djegin SKAP-in, kur ata duhet të digjnin qeverinë. Si nuk i vendosen hekurat Engjell Agaçit që ka marrë shkresën nga APP, ku i thuhet se kjo metodë nuk ekziston në ligj.
Ose këta janë të droguar nga paratë e djegësave, që janë të pafundme dhe mos u çuditni që ndonjë ditë të dalin në Iran. Prisni.
Qytetari dixhital më shkruan dhe më fakton (lexon mesazhin); njëri nga pronarët e incenratorit të Tiranës, italiani Alberto Precezi ka lidhur një bashkëpunim me kompaninë shtetërore të Iranit “Matna”. Ja ku më çon fotot e tyre.
Unë nuk mund të them, por lidhur me Veliajn, që është vizitor i shpeshtë i Iranit, këto duhet të jenë objekt i hetimit. Ky Precezi është i implikuar te inceneratori i Tiranës” tha ai.