Nga zyra për media e KFOR-it e kanë konfirmuar se ka pasur të shtëna armësh në vendin ku po qëndronte një patrullë e tyre, por kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, në një prononcim për TV Pink në Serbi, deklaroi se informacionet nuk janë të vërteta.
“Dua të mohoj raportimin e mediave të Prishtinës se ka pasur sulm ndaj njësive të KFOR-it”, deklaroi ai, duke anashkaluar deklarimin e KFOR-it për të shtënat në rrethinë të Zubin Potokut në Veri të Kosovës.
“Informacionet tona nga terreni thonë se nuk ka pasur asnjë sulm ndaj KFOR-it. Situata është e qetë”, pohoi ai.
Ushtarët e KFOR-it në Veri të Kosovës pranë të cilëve është gjuajtur me armë janë letonezë.
Këtë ia ka kumtuar Gazetës Express, zyra për media e KFOR’it në Kosovë.
Më parë KFOR’i konfirmoi për ngjarjen që ka ndodhur të dielën.
“Në këtë moment mund të konfirmoj se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër tij. Nuk ka të lënduar dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet, ashtu siç kemi bërë do t’ju përditësojmë”, thuhet në përgjigje.