Flota e dronëve “Bayraktar” që Shqipëria bleu nga Turqia nuk dihet sa kushtoi dhe nuk do të bëhet publike. Kështu deklaroi sot ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. “Ne e kemi bërë publike faktin që Shqipëria do të marrë një flotë dronësh, kemi firmosur kontratën nuk mund të jap më shumë detaje duke ruajtur statusin e një dokumenti të klasifikuar ushtarak” tha ai.
Niko Peleshi foli edhe për sulmet kibernetike duke qenë se ministri i Mbrojtjes është pjesë e komitetit të mbrojtjes kibernetike. “Mund ta them se askush nuk ka siguri 100%, garanci dhe mure 100% të sigurta nuk ka. Por ne e kemi rritur shumë edhe vigjilencën edhe investimin për mbrojtjen kibernetike. Padyshim që pas sulmit të korrikut dhe shtatorit, ky komitet e ka intensifikuar punën me plane për investime në infrastrukturën e mbrojtjes kibernetike. Jemi të gjithë të ekspozuar, jo vetëm shteti por edhe privati” tha ai.
Sot qeveria miratoi një vendim për emergjencat civile. “Është një ngritje në një nivel tjetër e reagimit të sistemit të mbrojtjes civile ndaj fatkeqësive natyrore. Bashkë me vendimin e mbledhjes së kaluar të kredisë 30 mln euro të Italisë për emergjencat civile, kuptojmë se viti po mbyllet me lajme shumë të mira. Vendi ynë klasifikohen si vende me risk të lartë ndaj fatkeqësive natyrore në cdo stinë. Në verë kemi vatra të shumta zjarri, në dimër kemi përmbytje. Një pajisje e mirë e të gjitha strukturave, mbështetur edhe nga ky mekanizëm do të bëjë të jemi më eficentë” tha ai.









