Gazetarja e kronikës Anduena Llabani ka komentuar operacionin e kryer pak ditë më parë në banesat e familjarëve të Ervis Martinaj për të cilin u shpreh se ai është bërë për llogari të hetimeve të SPAK.
Ajo është shprehur se zbulimi i fatit të Ervis Martinajt është punë ditësh.
“Operacioni është shumë i detajuar, aty janë 3 familje që jetojnë në një ambient dhe janë gjetur materialet, të gjitha që janë provë për prokurorinë nesër, operacioni është bërë për llogari të SPAK. Ky është një zgjatim i hetimeve që ka çuar policinë në shtëpitë ku banojnë familjarët e Ervis Martinaj të cilët kanë qenë shumë bashkëpunues në momentet e operacionit. Policia ka gjetur dhe elementë të tjerë si prova kyçe se çfarë po ndodh, madje mund të them se shumë shpejt, punë ditësh ne do të mësojmë dhe për fatin e Ervis Martinaj. Madje mund të themi se rasti Martinaj ka përfshirë shumë aktorë dhe kjo do të thotë se shumë elementë qoftë nga policia apo prokuroria në historinë e Martinajt kanë ndikuar dhe në zbulimin e ngjarjes,” u shpreh ajo.
Ajo shtoi se në telefonin e Martinaj janë gjetur emra të strukturave të policisë.
“Në 4 muaj nga zhdukja e Ervis Martinaj ka shumë elementë që thonë se e gjithë kjo është një skenar i përgatitur pasi kush e njeh mirë Martinaj nuk beson se ai është një njeri që bie në grackë. Por ngritja në hipoteza, unë them se ai është gjallë dhe shumë shpejt historia e tij do të zbardhet,” ka përfunduar gazetarja.