Në vijim të operacionit “Restart”, policia ka arrestuar 3 persona dhe ka sekuestruar 58 kg lëndë narkotike kanabis.
Sipas njoftimit të policisë te arrestuarit janë: Erisa Fero 28 vjeç, Likë Basha 32 vjeç dhe dhe M. K 17 vjeç.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë në bazë të inteligjencës informative se në drejtim të Maqedonisë, nëpërmjet zonës së fshatit Lin, Pogradec, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, kanë organizuar punën dhe në Qafë Thanë kanë konstatuar automjetin tip “Volkswagen” pranë të cilit ndodhej shtetasi L. B. Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, në pjesën e bagazhit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 58 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasja E. F; dhe shtetasit M. K. e L. B., kishin kryer transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Tiranës në drejtim të Qafë Thanës.
Po nga veprimet e para hetimore rezulton se trafikimin e sasisë së drogës në drejtim të Maqedonisë, do ta kryenin dy shtetasit e shpallur në kërkim F. S. dhe G. S.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.