Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje nga paketa e fundvitit, që e ka cilësuar si pako apo shportë për disa kategori në nevojë, por edhe administratën. Nga 8 mijë lekë të reja do të përfitojnë 695 mijë pensionistë dhe 71 mijë persona me aftësi të kufizuar.
“Me kënaqësinë e faktit se 695 mijë pensionistë do të marrin nga 8000Lekë (të reja) secili nga Pakoja e Madhe, ku do të kenë pjesën e tyre 1 milionë shqiptarë, që do të përfitojnë sipas kategorive deri në 20000Lekë (të reja), për të zbutur impaktin e inflacionit të luftës deri në fund të këtij dimri të vështirë për mbarë Europën.
8000Lekë (të reja) për çdo person me aftësi të kufizuar, do të lehtësojnë maksimalisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit, ku falë edhe subvencionimit masiv të çmimit të energjisë që do të vazhdojë përgjatë vitit 2023, mburoja financiare e qeverisë për familjet shqiptare e bën shumë më të përballueshëm këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën” shkruan Rama.
Gjithashtu punonjësit e administratës do të përfitojnë 20 mijë lekë, ata që paguhen më pak se 60 mijë lekë dhe 10 mijë lekë ata që paguhen mbi 60 mijë lekë. Pakoja parashikohet të jetë rreth 8 miliardë lekë vjetra, pra 800 milionë lekë.
Përfituesit do të jenë;
Pensionistët
Familjet që marrin ndihmë ekonomike
Nënat kryefamiljare
Paraplegjikët
Tetraplegjikët
Personat me aftësi të kufizuara
Invalidët e punës
Punonjësit e shtetit