Njëmbëdhjetë persona humbën jetën dhe 23 të tjerë u plagosën kur një autobus ra në një luginë në lindje të Bolivisë. Aksidenti, shkaqet e të cilit ende nuk janë zbardhur, ka ndodhur në një rrugë që lidh qytetin e Santa Cruz me fshatin Saipina.
“Kemi 11 të vdekur dhe 23 të plagosur”, tha Oscar Medrano, shefi i policisë lokale, për kanalin televiziv privat Unitel.
Disa nga të plagosurit po trajtohen në spitalin Saipina ndërsa të tjerët, gjendja e të cilëve ishte më e rëndë, u dërguan në spitalet në Santa Cruz.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INE) në vitin 2021 në Bolivi 1,325 njerëz u vranë në aksidente trafiku dhe 11,155 u plagosën.