Një 35-vjeçar nga Elbasani është arrestuar nga policia në Elbasan në momentin që shkoi në spital për të marrë mjekim, pasi dyshohet se ishte plagosur me armë zjarri dhe ngjarjen e fshehu. Fatmir Murati ka mbërritur në spital i plagosur.
Në dëshminë që ka dhënë para grupit hetimor, Murati ka deklaruar se është plagosur nga një hekur pasi është rrëzuar nga motori në zonën e quajtur “Harqet”.
Më pas policia ka marrë edhe dëshminë e dy shokëve të tij, Shkëlzen Hoxhës, 33 vjeç dhe Mariglen Gostimës, 30 vjeç, të cilët nuk kanë treguar rrethanat e vërteta sesi ka ndodhur ngjarja.
Për këtë arsye, tre të rinjtë janë arrestuar me akuzën për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Ende nuk është e qartë se si ka ndodhur ngjarja dhe se si është plagosur 35-vjeçari. Gjatë kontrollit të vendngjarjes, grupi hetimor nuk u ka gjetur të rinjve asnjë send të kundraligjshëm dhe as gëzhoja. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e ngjarjes.