Punonjësit shqiptarë, si meshkuj, ashtu dhe femra, kanë oraret më të gjata të punës në Europë, që arrijnë deri në 50 orë në javë.
Gjetjet për orët e punës janë publikuar në një raport të fundit të Komisionit Europian për kushtet e punës dhe implikimet në të ardhmen. Sondazhi realizohet një herë në pesë vjet nëpërmjet anketimeve me 70,000 punëtorë në 36 vende europiane.
Këtu përfshihen shtetet anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Meshkujt shqiptarë punojnë rreth 50 orë në javë, ndërsa femrat rreth 45 orë në javë. Pas shqiptarëve renditen grekët, serbët, malazezët, rumunët dhe shtetasit e Kosovës.
Orët e larta të punës në Shqipëri duken të lidhura me dy faktorë, së pari puna edhe gjatë fundjavave dhe së dyti niveli i lartë i të vetëpunësuarve, që Shqipëria e ka rekord në rajon me rreth 36% të totalit të të punësuarve (shënim i Monitor).
Sipas raportit, mesatarisht, në BE-27 burrat raportuan se punonin pak më shumë se 42 orë në javë, ndërsa gratë punonin afërsisht 37 orë.
Raporti thekson se orët e gjata të punës shoqërohen me kushte shëndetësore si depresioni, ankthi, çrregullimet e gjumit dhe sëmundjet koronare të zemrës dhe mund të ndikojnë ekuilibrin midis punës dhe aspekteve të tjera të jetës.
Orari i zgjatur i punës është raportuar nga më shumë se gjysma (58%) e të vetëpunësuarve me të punësuar, 40% e të vetëpunësuarve të vetëm dhe rreth 14% e të punësuarve.
Orët e gjata janë raportuar më shpesh nga punëtorët në bujqësi, menaxherët dhe operatorët e impianteve dhe makinerive, si dhe në sektorët e bujqësisë, transportit dhe ndërtimit. Orët e gjata ishin gjithashtu më të zakonshme në mikro-vendet e punës sesa në vendet më të mëdha të punës. /monitor