Menjëherë pasi kaluan festat e fundvitit në vendlindje me të afërmit e tyre, emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, kanë nisur të kthehen, ndërsa këto tre ditë të para të vitit ka pasur një fluks të lartë të daljeve nga vendi ynë në pikat e kalimit kufitar me shtetin fqinj.
Kështu, situata në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës paraqitet normale. Edhe pse fluksi ka qenë i lartë, sërish nuk janë shënuar radhë të gjata pritje në të dy anët e kufirit.
Pala shqiptare punon me kapacitet të plotë në dalje, me katër sportele ndërsa ajo greke me tre të tillë. Përgjatë 24 orëve të fundit kanë lënë pas traun e doganës 5634 shtetas ndërkohë që kanë hyrë në Shqipëri 2600 persona.
Për datën 02 janar në Kapshticë kanë hyrë 2807 shtetas dhe kanë dalë 5759. Në Qafë-Thanë, kanë hyrë 2832 dhe kanë dalë 3153 shtetas.