Shumica parlamentare e përbërë nga Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja URA e Dritan Abazoviqit nuk ka arritur një marrëveshje për formimin e një qeverie të re të udhëhequr nga Miograd Llekiç.
Pas një takimi me përfaqësuesit e shumicës parlamentare më 4 janar, Llekiç njoftoi se nuk do të ketë ekzekutiv të ri.
Paraprakisht, ai kishte njoftuar se Qeveria e re do të formohej më 20 janar.
Më 29 dhjetor, shumica parlamentare i dha Miograd Llekiçit mandatin që të formojë Qeverinë e re bazuar në ndryshimet kundërthënëse në Ligjin për presidentin.
Sipas këtij ligji, shumica parlamentare tentoi që të merrte kompetencat e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq sepse ai refuzoi që të mandatonte Llekiqin për formimin e ekzekutivit të ri.
Partnerët ndërkombëtarë, posaçërisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, vazhdimisht i kanë bërë thirrje shumicës parlamentare që të mos tentojë të formojë Qeverinë e re bazuar në Ligjin për presidentin duke paralajmëruar se një ekzekutiv i tillë do të kishte legjitimitet të kontestueshëm.
Pavarësisht kësaj, Miograd Llekiq insistoi në formimin e Qeverisë.
Një prej liderëve të Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, tha pas takimit të 4 janarit se partitë që janë pjesë e Qeverisë aktuale teknike të Dritan Abazoviqit, nuk kanë paraqitur nënshkrimet për seancën e paraparë plenare, ku do të zgjidhej Qeveria dhe kreu i ri i Parlamentit.
“Ne nuk patëm sukses në atë që nisëm më 1 shtator [pas zgjedhjeve të vitit 2020]. Më vjen keq të them se ne kemi investuar shuamë energji në arritjen e një marrëveshjeje”, tha Mandiç.
Ai tha se kryetarja e Parlamentit të Danjiela Gjuroviç, dhe presidenti i shtetit, Millo Gjukanoviç duhet të pajtohen për të thirrur zgjedhje të reja presidenciale dhe parlamentare.
Mandati i Gjukanoviçit mbaron në pranverën e këtij viti.
Në shtator, partitë e shumicës parlamentare refuzuan nismën e presidentit Gjukanoviç për të shpërndarë Parlamentin dhe për të thirrur zgjedhje të reja, me qëllim që të formohej ekzekutivi i ri.
Qeveria e Dritan Abazoviçit është me mandat teknik që nga gushti i vitit të kaluar, pasi ekzekutivit iu votua mocioni i mosbesimit në Parlament.
Mocioni u nxit pas nënshkrimit të Marrëveshjes themelore me Kishën Ortodokse Serbe. Qeveria kontrollohet nga partia e Abazoviçit dhe Vlladimir Jokoviçit, i cili ka vetëm nëntë deputetë në Parlament. Në ekzekutiv po ashtu janë edhe disa parti të minoriteteve.
Shumica parlamentare përbëhet nga partitë që fituan në zgjedhjet e vitit 2020, që mposhtën partinë e Gjukanoviçit, duke e dërguar në opozitë pas tri dekadash.
Qeveria e parë e Zdravko Krivokapiçit punoi për 14 muaj, dhe më pas drejtimin e ekzekutivit e mori Abazoviç, që qeverisi për mbi tre muaj para se të ngrihej mocioni i mosbesimit në Parlament./ REL