Punonjësit shqiptarë mund të kenë orët më të gjata të punës në Europë, por rezulton që kanë shpejtësi më të ulët në kryerjen e detyrave të tyre dhe nuk ndodhen nën presionin e afateve. Gjetjet për intensitetin në punë janë publikuar në një raport te fundit të Komisionit Europian për kushtet e punës dhe implikimet në të ardhmen.
Sondazhi realizohet një herë në pesë vjet përmes anketimeve me 70,000 punëtorë në 36 vende evropiane. Këtu përfshihen shtetet anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Puna me shpejtësi të larta është e shpeshtë apo e zakonshme për më pak se 30% të punonjësve shqiptarë, ndërsa presioni për afatet për rreth 25%, të dyja më të ulëtat në Europë. Për krahasim, në Greqi, që është shteti me intensitetin më të lartë të punës, 65% e punonjësve deklarojnë se u kërkohet të punojnë me intensitet të lartë dhe 55% se punojnë nën presionin e afateve.
Sipas raportit, prevalenca e tre aspekteve të intensitetit të punës ndryshonte midis vendeve. Puna me shpejtësi të lartë është gjithmonë ose shpesh e zakonshme në mesin e punëtorëve në Greqi, Finlandë dhe Qipro, me më shumë se 60% të punëtorëve që raportuan këtë kërkesë, krahasuar me rreth 35% në Lituani dhe Letoni.
Për sa i përket sektorit, puna me shpejtësi të lartë ishte më e zakonshme në shëndetësi, tregti dhe hoteleri dhe shërbime financiare; puna me afate të rrepta ishte më e zakonshme në shërbimet financiare, ndërtim dhe transport./monitor