Njësitet e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 5 janar do të largojnë kamionët e dëmtuar, që kanë qenë të vendosur në veri të Kosovës.
Kështu bëri të ditur Policia e Kosovës, duke shtuar se kamionët ishin të vendosur në vendin e quajtur Përroi i Zhazhës.
“Për shkaqe pune dhe sigurie, nga mëngjesi një korsi e rrugës mbyllet për qarkullim, përderisa në mesditë përreth dy orë do të mbyllet komplet rruga për qarkullim në drejtimin Mitrovicë – Jarinjë, deri sa të largohen mjetet e rënda, për t’u mundësuar qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugët në veri të Kosovës, duke vendosur nga 10 dhjetori mjete të rënda në rrugë. Barrikadat u ngritën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.
Por, Dejan Pantiqit, që sipas autoriteteve në Kosovë dyshohet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në fund të dhjetorit iu ndryshua masa e sigurisë.
Ndryshimi i masës së sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak, i hapi rrugë tërheqjes së serbëve nga barrikadat.
Më 28 dhjetor, pas një takimi në Rashkë të Serbisë me përfaqësuesit serbë nga Kosova, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se barrikadat do të hiqeshin. Presidenti serb po ashtu tha se serbët kanë marrë garanci se kërkesat e tyre do të plotësoheshin për heqjen e barrikadave.
Shumica e barrikadave u hoqën në ditën pasuese, por disa ende mbeten. Më 3 janar, KFOR-i largoi kamionët e vendosur në vendin e quajtur Shkëmbi i Dudës.