Një mjek po hetohet nga prokuroria në Durrës pasi u filmua duke marrë ryshfet për të ndihmuar një paciente që të merrte shërbimin e transfuzionit të gjakut. Mjeku shihet duke marrë 50 mijë lekë të vjetra, në mënyrë që të regjistrojë pacienten. Mjeku mori paratë dhe shënoi sikur pacientja kishte dhuruar gjak.
“Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një mjek i Bankës së Gjakut në spitalin e Durrësit, i cili kundrejt pagesës 5000 lekë të rinj, ndihmon një paciente për të marrë shërbimin e transfuzionit të gjakut të dhuruar nga qytetarë të ndryshëm, ju bëjmë me dije se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, pas transmetimit të pamjeve, referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit I. Q., 50 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Durrës, me detyrë Teknik gjaku, në spitalin rajonal të Durrësit, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe A. S., 45 vjeçe, banues në lagjen nr. 17, Durrës, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të paligjshmërive të ndryshme, si dhe i siguron ata se strukturat vendore dhe qendrore të Policisë, do të reagojnë menjëherë me qëllim nxjerrjen e autorëve, përpara përgjegjësisë ligjore” njofton policia.