Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i ka cilësuar “pengje” të Edi Ramës deputetët brenda grupit që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj brenda PD-së. Ai tha se kush është kundër qeverisë duhet të bashkohet me opozitën në një kandidat të vetëm.
“Mesazhi im ka qenë i qartë për një bashkëpunim jo vetëm të të gjithë faktorëve opozitarë, por edhe më gjerë të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, që duan ndryshim dhe vuajnë pasojat dhe nuk u intereson shumë sigla që mbart kryeministri apo kryetari i bashkisë po punët e tyre, profesionet e tyre.
Mesazhet edhe nga ana e zotit Berisha kanë qenë të qarta për gjithëpërfshirje, bazuar mbi votën e lirë, por edhe mbi vullnetin për t’i shërbyer qëllimit të përbashkët, që është çkapja e shtetit. Kushdo që ka prioritet kryesor përballjen me këtë regjim mafioz, padyshim që e gjen mënyrën dhe e shpreh vullnetin për t’u bashkuar.
Nëse dikush është peng i Edi Ramës do ta ketë të pamundur ta gjejë rrugën. Për shqiptarët do të ketë dy kandidatë, të shpopullimit, kukullat e Ramës dhe kandidatët e ndryshimit. Rama jep disa bukë në muaj për një pensionistët dhe në një ditë jep 3-400 mln euro për klientët e tij. Ju e dini se çfarë ka ndodhur me aferën e portit të Durrësit dhe të tjerat që janë korrupsion i përbindshëm” tha ai.