Sylvio Mendes Campos Junior do të prezantohet të hënën si trajneri i ri i Shqipërisë.
Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi në ditët e para të janarit se është arritur marrëveshja me brazilianin, i cili pason Edoardo Rejan në bankinën e kuqezinjve.
48-vjeçari do të nënshkruajë një kontratë 18-mujore me FSHF-në.
Objektivi i tij i vetëm është që të arrijë kualifikimin në fazën finale të Euro 2024.
Sylvinho ka vendosur që të qëndrojë në Tiranë për sa kohë të jetë trajner i Kombëtares, për të qenë sa më pranë futbollit shqiptar e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ai do të jetë i angazhuar maksimalisht gjatë gjithë kohës, e thënë ndryshe në një punë “full time”.
Ish-mbrojtësi i majtë ka kërkuar që krahas tij edhe pjesa tjetër e stafit të tij të qëndrojnë gjithashtu në Tiranë, për të pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm.
Në të tilla rrethana, Hamdi Salihi i cili ka qenë pjesë e stafit të Kombëtares në rolin e një prej zëvendës trajnerëve, nuk do të jetë më pjesë e ekipit kuqezi.
Kjo për faktin se ish-sulmuesi shkodran jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e ka të pamundur që të zhvendoset të jetojë në kryeqytet.
Ish-mbrojtësi argjentinas, Pablo Javier Zabaleta dhe ish-mesfushori brazilian, Dorival Guidoni Junior janë konfirmuar si ndihmës trajnerët e Sylvinhos.
Por sipas raportimeve të fundit stafit të brazilianit do të shtohet dhe një përgatitës atletik, i kërkuar nga Sylvio.
Ndeshja e parë zyrtare e Shqipërisë në kualifikueset e kampionatit evropian do të jetë në muajin mars në Varshavë ndaj Polonisë, por 48-vjeçari do të ketë dhe një ndeshje miqësore para takimit me polakët për të njohur skuadrën.
Tani, ai kërkon të bëjë hapin e madh si trajner i Shqipërisë, teksa arritja e objektivit do të përcaktojë dhe shifrat financiare që do të përfitojë braziliani dhe ndihmësit e tij për aventurën 18-mujore.
Prezantimi i Sylvinhos dhe pjesës tjetër të stafit do të bëhet nga presidenti Armand Duka, të hënën në orën 11:00 në ambientet e stadiumit “Air Albania”.