Policia e Kosovës ka arritur të sigurojë prova të reja në lidhje me vrasjen e 31-vjeçarit të “Kobra City” nga Dibran Hoxhaj.
Një DVR (pasje që regjistron video) është gjetur në shtëpinë e një prej personave të arrestuar, pjesë e grupit të Kobrës.
Dyshohet se ajo video regjistruese të jetë ajo që është zhdukur nga lokali “Kobra City” në Prizren, natën kur ndodhi krimi, ku besohet se janë ruajtur materialet filmike të kamerave të sigurisë që mund të hedhin dritë mbi ngjarjen, nga motivi i nisjes së konfliktit, deri tek të shtënat që morën jetën e Cengut dhe plagosën mikun e tij Rufgen Shehu.
Nga ana tjetër në banesën e autorit kryesorë të dyshuar, Dibran Hoxhajt, është gjetur një kasafortë, e cila pritet të hapet përmes një procedure të veçantë, edhe në pranin e agjentëve anti-eksploziv. Sasi municionesh dhe një granatë dore, i janë bashkëngjitur dosjes hetimore si prova të vlefshme që mund t’i shërbejnë hetimeve.
Visart Cengu i cili kishte ardhur në vendlindje nga Franca, Rufgen Shehu dhe Arben Basha, të tre miq me njëri-tjetrin, shkuan në Prizren në “Kobra City” për të festuar Vitin e Ri, por dolën nga aty njëri i vdekur e tjetri i plagosur. Pasi u konfliktuan në lokal me stafin shkuan drejt makinës në parking për t’u nisur drejt Kukësit, por pronari Dibran Hoxhaj i ndoqi dhe qëlloi me armë zjarri tre herë drejt tyre.