Në moshën 18-vjeçare, pritet të kesh përgjegjësi, të marrësh vendime dhe të kuptosh pasojat.
Kosovën, përvjetori jubilar e gjen me pasiguri e dilema, që e sfidojnë çdo “të rritur”, por edhe me arritje e fitore, që i japin të drejtën të mburret.
Hija që druhej se do ta ndiqte, u zhduk vetëm gjashtë ditë para përvjetorit: më 11 shkurt, pas gati një viti me institucione në detyrë, Kosova konstituoi përbërjen e re të tyre.
Periudha e bllokadës nuk ishte thjesht një vonesë procedurale, por një boshllëk që paralizoi vendimmarrjen, ngushtoi hapësirën për veprim dhe e la shtetin në pritje të vetvetes.
Zvarritja nuk ishte as e rastësishme.
Në 18 vjetët e kaluar, inatet politike, përplasjet e brendshme dhe interpretimet selektive të rregullave – të krijuara nga vetë klasa politike – i shndërruan shpesh proceset e rëndësishme në mundësi të humbura.
Nga dështimi për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës deri te pezullimi i Dialogut Strategjik me SHBA-në, Kosova pagoi çmimin e konfliktit të brendshëm më shumë sesa të kundërshtimit të jashtëm.
Por, jo për mungesë aftësie.
Po në këta 18 vjet, vendi dëshmoi se di të ndërtojë institucione dhe të arrijë rezultate – nga rritja ekonomike deri tek ulja e papunësisë – kur ka koordinim dhe vullnet për të vepruar në kohë.
Njihet nga mbi 120 shtete, është pjesë e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, ka hapësirë në sport, kulturë e art – dëshmi se mund të konkurrojë dhe të afirmohet edhe jashtë kufijve.
Me fjalët e ish-ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, qytetarët e Kosovës “e meritojnë të përgëzohen dhe vlerësohen për përparimin e jashtëzakonshëm që kanë bërë në themelimin dhe konsolidimin e shtetit të tyre sovran e të pavarur”.
“Kosova nuk është më një shtet në tranzicion; përkundrazi, është një shtet i pavarur dhe i suksesshëm demokratik”, thotë Hovenier për Radion Evropa e Lirë.
Por tani, si një 18-vjeçare në një botë ku rrethanat gjeopolitike ndryshojnë shpejt dhe aleatët nuk janë gjithmonë të durueshëm, Kosova përballet me pritje të qarta dhe duhet t’i rendisë me kujdes hapat e saj të ardhshëm (Lexo KETU shkrimin e plote).









