Mbështetësit e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, të cilët refuzojnë të pranojnë humbjen e tij zgjedhore kanë sulmuar Kongresin.
Grupi kapërceu një pengesë policore dhe u ngjit në vendin që i jep akses në taracën e godinave të Dhomës së Deputetëve dhe Senatit dhe disa u futën brenda selisë legjislative.
Ekstremistët, kryesisht të veshur me këmisha të verdha dhe jeshile e me flamuj brazilian në duar, sulmuan edhe disa automjete të Policisë Legjislative, e cila kujdeset për sigurinë e Kongresit.
Ata gjithashtu shkatërruan barrierat mbrojtëse dhe, të armatosur me shkopinj, u përballën me agjentët që u përpoqën pa sukses të ndalonin hyrjen e protestuesve.
Autoritetet braziliane kanë filluar të hetojnë rreth sulmit nga rebelët pro Jair Bolsonaros që sulmuan ndërtesat shtetërore të dielën, me presidentin e sapozgjedhur Luiz Inácio Lula da Silva që u zotua të nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë.
Gjykata e Lartë e vendit të dielën vonë të dielën shkarkoi guvernatorin e Brasilias, Ibaneis Rocha, nga detyra për 90 ditë për shkak të defekteve në sigurinë në kryeqytet, ndërsa gjyqtari i Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes urdhëroi gjithashtu platformat e mediave sociale Facebook, Twitter dhe TikTok të bllokojnë propagandën pro-grusht shteti.
Kjo vjen pasi mbështetësit e ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, të cilët refuzojnë të pranojnë humbjen e tij zgjedhore, sulmuan Kongresin, Gjykatën e Lartë dhe pallatin presidencial në Brasilia, vetëm një javë pas inaugurimit të Silvas, rivalit të tij të majtë
Një sulm i tillë përfaqëson sulmin më të keq ndaj institucioneve të vendit që nga rivendosja e demokracisë katër dekada më parë.
Incidentet u dënuan shpejt nga liderët botërorë, nga presidenti amerikan Joe Biden dhe francezi Emmanuel Macron e deri te krerët e shteteve të Amerikës Latine.