Ekskluzive! Negociatat për të hyrë në BE janë të ndara në 35 kapituj. Për secilin kapitull bisedohet veç e veç. Në një mbledhje urgjente të BE-së në Bruksel, Shqipërisë i është shtuar edhe një kapitull.
Ai kapitull quhet: Dysheku, Pastruesja dhe Paraja. Në dokumentet interne të BE-së ky kapitull quhet shkurt DPP36. Ai është i ndarë në këta nënkapituj:
- a) Roli i madhësisë së dyshekut në transformimet korruptive në Shqipëri
- b) Roli i gjerësisë së dyshekut në metamorfozën e ryshfetit në Shqipëri
- c) Cilësia e pëlhurës së dyshekut në fshehjen e parave të fituara me djersë
ç) Roli i pastrueseve në luftimin e korrupsionit në apartamentet e Tiranës
- d) Roli përkrahës i fëmijëve të pastrueseve në çlirimin e Shqipërisë nga mynxyra e korrupsionit
- dh) Roli i jastëkut në reformimin e administratës shtetërore
- e) Roli i ri i fshesës në kuadër të integrimeve europiane
- f) Cilësia e detergjentit të pastrueseve në pastrimin e Shqipërisë
- g) Roli i butësisë së dyshekut në palosjen e parave
- gj) Debati mbi përparësitë e dyshekut apo kasafortës në ruajtjen e parave të fituara ndershëm
(…) zh) Roli i fabrikave për prodhimin e dyshekëve në sistemimin e parave të zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Negociatat për kapitullin DPP36 pritet të fillojnë më 17 janar 2023 në përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Dhe do të përfundojnë kur Shqipëria do të mbesë pa asnjë dyshek si pasojë e konfiskimit të tyre për shkak të dyshimit se aty fshihet pasuria më e madhe (dhe e vjedhur) e Shqipërisë. Pasi të mbesin pa dyshekë, shqiptarët ndoshta do të mendojnë për alternativa të tjera qeverisëse.
Analizë satirike referuar arrestimit të pastrueses që vodhi shtëpitë e politikanëve