Ushtria kineze mbajti stërvitje të përbashkëta të sulmeve luftarake në shkallë të gjëra, duke dërguar avionë luftarakë dhe anije të marinës drejt Tajvanit, thanë ministritë e mbrojtjes të Kinës dhe Tajvanit.
Stërvitja përkoi me vizitën e një grupi ligjvënësish gjermanë që zbarkuan në Tajvan të hënën në mëngjes.
Në krye të delegacionit është Marie-Agnes Strack-Zimmermann, e cila drejton Komisionin e Mbrojtjes të Parlamentit Gjerman.
Ligjvënësit gjermanë do të takohen me presidentin e Tajvanit, Tsai Ing-wen, si dhe me kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Tajvanit dhe zyrtarë të tjerë.
Kina ka rritur presionin e saj mbi ushtrinë e Tajvanit në vitet e fundit duke dërguar aeroplanë luftarakë ose anije të marinës pothuajse çdo ditë drejt ishullit të vetëqeverisur. Kina pretendon sovranitetin mbi ishullin, i cili u nda nga Kina në vitin 1949 pas një lufte civile.
Stërvitjet e së dielës kanë vazhduar deri të hënën, tha ministria e mbrojtjes e Tajvanit, duke monitoruar avionët luftarakë dhe anijet e marinës kineze në sistemet e saj raketore.
Veprimet e Kinës “kanë prishur rëndë paqen dhe stabilitetin në ngushticat e Tajvanit dhe ujërat përreth”, tha ministria.
Gjatë 24 orëve nga ora 6 e mëngjesit të së dielës deri në orën 6 të mëngjesit të së hënës, Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës fluturoi me 57 avionë luftarakë dhe lundroi me katër anije drejt Tajvanit, tha Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Tajvanit në një deklaratë të hënën në mëngjes.
Njëzet e tetë nga ata avionë kaluan vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit, një kufi jozyrtar që të dyja palët kishin respektuar më parë.
Më 8 janar Kina njoftoi për stërvitjet rreth orës 23:00 duke thënë se “objektivi i tyre kryesor ishte praktikimi i sulmeve tokësore dhe sulmeve nga deti”.