Në fillim të pranverës, vetëm pak javë para zgjedhjeve, qeveria parashikon të ketë në arkën e saj të ardhurat e mbledhura nga taksa e jashtëzakonshme për prodhuesit privatë të energjisë. Këto para zv/ kryeministrja Belinda Balluku u shpreh se do të rishpërndahen në formën e paketës së radhës sociale për grupet më në nevojë.
“Kjo e ardhur e paparashikuar do të merret dhe do të përdoret për paketa sociale, që po dizenjohen sot nga ministria e Financave. Prioritet do të kenë pensionistët, familjet vulnerabël dhe siç është dhënë edhe gjatë paketave të tjera, nënat me shumë fëmijë apo edhe grupet e tjera që kanë pamundësi fizike” tha ajo.