Sot ka mbyllur hetimet dhe ka akuzuar ish-minstrin Fatmir Mediu, në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. SPAK akuzon Fatmir Mediun se ka shkelur ligjin kur ishte ministër i Mbrojtjes duke shpërdoruar detyrën, veprime të cilat sollën tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe shumë të tjerë i plagosën. Mediu do të paraqitet sot në orën 14:00 në ambientet e prokurorisë së posaçme.
Gjykata e Lartë dy vite më parë rrëzoi rekursin e Fatmir Mediut për të mos u hetuar dhe lejoi SPAK të niste punën. 14 vite pas tragjedisë, familjeve të viktimave iu është rikthyer shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre.
Apeli i GJKKO rrëzoi një vendim të mëparshëm të shkallës së parë, duke argumentuar se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.
I fundit që është marrë në pyetje nga SPAK në lidhje me hetimet për tragjedinë e Gërdecit ka qenë Aldo Bumçi, ish ministër drejtësie në qeverisjen e Sali Berishës gjatë kohës që ndodhi tragjedia.
Për më shumë se 1 orë, Bumçi ka dhënë sqarime mbi hetimet për tragjedinë, mes të cilave edhe për shkresën zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, në cep të së cilës shkruhej “për Shkëlzen Berishën”.
Tragjedia ndodhi në 15 mars 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike. Shpërthimi shkatërroi 3000 banesa e biznese.