Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj, së bashku me dy drejtorë të këtij institucioni Alban Ruli dhe Fatmir Hoxhaj janë arrestuar pasditen e sotme.
Arrestimet vijnë pas hetimeve mbi të pandehurin Ilir Thana i cili akuzohet për mashtrim dhe kishin nisur edhe për zyrtarë të zyrës përmbarimore dhe Ministrisë së Financave të cilët me veprimet e bëra në kundërshtim me ligjin kanë shkaktuar një dëm ndaj buxhetit të shtetit që raportohet se kap shifrën e 1.2 milionë eurove.
Konkretisht kanë shpronësuar një qytetar dy herë për të njëjtin objekt, në 2015 dhe në 2022-shin. I dyshuari Thana dyshohet se u ndihmua për mashtrimin nga zyrtarët por edhe përmbarues. Firma është hedhur nga vetë Gjokutaj në shtator të vitit të kaluar për t’i kaluar lekët Thanës.
E PLOTË/ Firma që çoi pas hekurave sekretarin dhe dy drejtorët e “Financave”
Kush është sekretari i arrestuar?
I emëruar në 2021 sekretar i ministrisë së Financave, Arlind Gjokuta, ka lindur në Gjirokastër në vitin 1981. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ai ka kryer studimet për Administrim Biznesi në Universitetin “Bocconi” në Milano, si dhe ka përfunduar studimet master për Financë dhe Menaxhim Risku në Universitetin “Bicocca” në Milano. Është anëtar i Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues (TND) që nga muaji janar 2016.
Gjokuta e ka nisur karrierën në sektorin publik si ekspert i çështjeve fiskale dhe monetare në Bankën e Shqipërisë. Më pas ka ushtruar disa detyra në administratën publike, si Koordinator i Posaçëm për ekonominë pranë Këshillit të Ministrave (2015-2017), Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave(2017-2019), Drejtor i Përgjithshëm i Doganave (2019) dhe Drejtor i Përgjithshëm i Njësisë Speciale Antikorrupsion dhe Antievazion (2020-2021).
Në Tetor 2021, Gjokuta u emërua Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë. Gjokuta ka përvojë në çështjet fiskale, operacionet monetare, analizat ekonomike dhe në menaxhimin e riskut. Gjithashtu, është angazhuar si lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës dhe në disa Universitete private. Është çertifikuar si “Trainer of Trainer në fushën e Antikorrupsionit dhe mirëqeverisjes”, nga OSBE, Shkolla Italiane e Administratës Publike dhe ASPA.
Gjatë karrierës së tij profesionale ka marrë pjesë në trajnime dhe seminare në institucione të rëndësishme ndërkombëtare financiare, si FMN, Banka Botërore, Banka e Anglisë, Banka e Holandës, Banka e Italisë, Center of Excellence in Finance etj.