Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Brazilit, Alessandro de Moraes ka urdhëruar autoritetet lokale të parandalojnë bllokadat e rrugëve pasi ish-presidentit, Jair Bolsonaro u bëri thirrje për protesta të reja mbështetësve të tij.
Moraes urdhëroi gjithashtu autoritetet të parandalonin pushtimin e ndërtesave publike pas sulmeve ndaj Kongresit, pallatit presidencial dhe Gjykatës së Lartë nga mbështetësit e ish-presidentit të ekstremit të djathtë.
Policia në Brazil më herët liroi “për arsye humanitare” 599 nga të dyshuarit e arrestuar pas sulmit të së dielës në ndërtesat qeveritare në Brasilia, ndërsa 527 të arrestuar të tjerë u dërguan në një burg lokal.
Policia Federale konfirmoi se ata u liruan “për arsye humanitare” pasi ishin të moshuar, njerëz me probleme shëndetësore ose nëna me fëmijë të vegjël.
Njerëzit, të cilët ishin vendosur përkohësisht në gjimnazin e Akademisë Kombëtare të Policisë Federale, u dërguan me autobus në një stacion autobusi nga ku do të mund të kthehen në shtëpi.
Brenda njërit prej këtyre autobusëve, pasagjerët brohoritën “Fitorja është e jona!” Disa nxorën duart nga dritaret dhe bënë shenjën e fitores ose shtrënguan grushtat.
Autobusët që u larguan nga Akademia nuk shkuan të gjithë në stacion. Disa i transportuan të arrestuarit në një stacion policor, nga ku më pas u dërguan në burgun e Papundës – gjithsej 527 të dyshuar.
Autoritetet thanë më herët se rreth 1,500 Bolsonaros që sulmuan Pallatin Presidencial, Gjykatën Supreme dhe Kongresin, si dhe ata në kampin e improvizuar jashtë shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë, u arrestuan.