Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ngri shqetësimin se paraburgimet janë të mbushur, mbipopulluar nga të arrestuarit. Ai tha se ka një trend që gjykata të vendosë masën e arrestit me burg që ka krijuar shqetësim për kapacitetet.
“Është e vërtetë që në sistemin e burgjeve për herë të parë numri i të paraburgosurve tejkalon të dënuarit. Në paraburgim kemi mbipopullim. Pse vjen kjo? Ka shumë faktorë që ne marrim në analizë, por lidhet edhe me veprimtarinë e sistemit gjyqësor.
Është rasti, që sa i takon hetimit dhe ndjekjes penale, ministri i Drejtësisë prezanton politikat e luftës kundër kriminalitetit. Prokuroria duhet të aplikojë të gjitha alternativat e dënimit dhe masat e sigurisë që janë paraparë. Arresti në burg është masë përjashtimore dhe është përcaktuar kur jepet.
Kemi raste kur nuk është marrë parasysh mbipopullimi, këtë e kemi shqetësim. Kjo na ka krijuar problematikë dhe vështirësi pasi ligji kërkon që të paraburgosurit të jenë të ndarë nga të dënuarit. Amnistia është një mekanizëm për uljen e mbipopullimit. Këtë vit do të propozojmë një amnisti” tha ai.