Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e grupit të Enkelejd Alibeajt për të përjashtuar nga trupa gjykuese për këtë dosje gjyqtaren Irida Kacerja. Vendimi është marrë nga gjyqtarja Edlira Petri.
“Përfaqësuesi i PD, av. Rezart Kthupi paraqiti një kërkesë të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Z. Gazmend Bardhi, me të cilën u kërkua përjashtimi i gjyqtares relatore Irida Kacerja. Si shkak i përjashtimit u referua vendimi i ndërmjetëm i gjykatës, për të paraqitur autorizimin për përfaqësim, konform normave të statutit të PD. Gjyqtarja relatore nuk vlerësoi se kishte shkaqe papajtueshmërie” kjo ishte kërkesa në fund të vitit të kaluar, që sot është rrëzuar.
“Mospranimin e kërkesës së ankuesit Partia Demokratike e Shqipërisë për përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit. Gjobitjen e kërkuesit Partia Demokratike e Shqipërisë në shumën 10,000 (dhjetëmijë) lekë. Ky vendim është i formës së prerë. Një kopje e vendimit t’u komunikohet gjyqtares Irida Kacerja dhe kërkuesit Partia Demokratike e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të shtyjë seancën për në datë 17.01.2023, ora 9:00 dosjen për fatin e vulës së PD-së. Seanca në Apel për bashkimin e dy statuteve të Kuvendeve të PD-së së korrikut dhe 18 dhjetorit 2021 me kërkesë të palës Alibeaj është zvarritur disa seanca në Apel. Shkalla e parë njohu kryetar të PD-së, Sali Berishën.