Andrew Tate refuzoi të linte femrat të largoheshin vetëm nga kompleksi i tij në Rumani, sipas transkripteve të nxjerra nga aplikacioni WhatsApp dhe të paraqitura nga prokurorët.
Influencuesi mizogjen Tate dhe vëllai i tij Tristan janë arrestuar si të akuzuar për trafik seksual dhe krim të organizuar, shkruan The Sun.
Dyshja mbeten në paraburgim pasi u arrestuan muajin e kaluar, ndërsa kërkesa e tyre për lirim nga paraburgimi është hedhur oshtë nga gjykata.
Thuhet se dyshja i detyronin femrat të krijonin përmbajtje pornografike për t’u shitur në internet.
Media rumune tani raporton se transkriptet e mesazheve me tekst zbulojnë se si Tate kontrollonte dhe kërcënonte femrat që dyshohet se i mbante rob.
DIICOT – njësia rumune e hetimit të krimit të organizuar – përfshiu mesazhet në dosjen që përgatitej kundër Andrew Tate.
Transkriptet dyshohet se janë nga një grup mesazhesh në WhatsApp, duke përfshirë Tate, togerët e tij dhe disa nga viktimat e tij të supozuara.
Dhe në një shkëmbim të botuar nga gazeta rumune Gandul, një “femër e re” i lutet Tate që të lejohet të largohet nga skllavëria e tij.
Më pas, Tate i tha asaj se nuk do të shkonte askund pa një nga punonjësit e tij “të besuar”.
“Pse je kaq i ftohtë me mua?”, ka shkruar ajo.
Tate u përgjigj: “Mos dil vetëm pa më thënë. Në Shopping Mall, supermarket, askund tani e tutje”.
Ajo tha: “Të thashë që doja të shkoja vetëm”.
Tate më pas u përgjigj se ky ishte “paralajmërimi i fundit” për femrën e paidentifikuar, sipas transkripteve.
Mesazhe të tjera të zbuluara në dokumente tregojnë Andrew Tate që mburret se është drejtuesi i operacionit në Rumani.
“Kam dëgjuar që ju jeni ai që drejton biznesin e vajzave Onlyfans dhe TikTok?”, e pyet një femër yllin mizogjen të rrjeteve sociale.
Ai u përgjigj duke i shkruar mesazh: “Tristan dhe Georgiana [Naghel] janë atje, por unë i udhëheq ata”.
Naghel është përshkruar si një nga “engjëjt” e Tate – dhe ajo u arrestua së bashku me të dhe Tristanin për krim të organizuar dhe prostitucion.
Transkriptet e tjera të publikuara nga RomaniaTV dyshohet se tregojnë Naghel duke kërcënuar një nga femrat viktimë.
Një tjetër transkript tregon mesazhe nga Luana Radu – një tjetër punonjëse e besuar e Andrewit, e cila gjithashtu ndodhet në arrest.
Ajo duket se qorton një nga viktimat për ankimin se janë shumë të lodhur për të punuar.
Tate dhe vëllai i tij po mbahen në një qeli në burgun famëkeq rumun deri në fund të janarit, ndërsa prokurorët njoftuan se ata po mbaheshin në paraburgim për 30 ditë.