Presidenti Joe Biden tha se ai i merr seriozisht dokumentet e klasifikuara pas zbulimit të një grupi të dytë dokumentesh të klasifikuara në shtëpinë e tij në Wilmington, Delaware.
“Ne do të shohim të gjitha këto të shpalosen, unë jam i sigurt,” tha Biden për zbulimin.
Biden tha se garazhi ku u gjetën dokumentet ishte i kyçur, pasi gazetarët e pyetën pse i mbante aty dokumentet e klasifikuara.
“Corvette ime është në një garazh të mbyllur, kështu që nuk është sikur të kenë qenë në rrugë,” tha Biden.
Kongresmenja, Nancy Pelosi të enjten teksa foli për grupin e dytë të dokumenteve të klasifikuara të Bidenit të gjetura në garazh, tha se kishte një ndryshim të madh krahasuar me hetime të tjera, pasi vetë njerëzit e presidentit amerikan po vinin në dispozicion dokumentet duke mos penguar qasjen në to.
“Epo, unë mendoj se ka një ndryshim të madh, njerëzit e Bidenit po sjellin dokumentet. Ata nuk po pengojnë qasjen në to ose njohuritë rreth tyre. Dhe mendoj se kjo është çështja në fjalë”-tha Pelosi.
Pelosi tha se nuk e dinte pse u deshën dy muaj që ekzistenca e dokumenteve të klasifikuara të zbulohej dhe u shpreh se ajo e mësoi për ekzistencën e tyre në të njëjtën kohë që edhe publiku e mësoi.
Ndërkohë, ditën e djeshme pasi u bë public lajmi për zbulimin e dokumenteve të klasifikuara gjatë kohës që Joe Biden ka mbajtur detyrën e zëvendës presidentit të SHBA-ve, ish presidenti Trump bëri thirrje që FBI të kontrollojë shtëpinë e tij. Kjo solli edhe zbulimin e dokumenteve të reja që Biden i mbante të mbyllura në garazhin e tij.