Deputeti dhe kryetari i grupit, Enkelejd Alibeaj nga Saranda pas një takimi me demokratët deklaroi për mediat se është ai drejtuesi i PD-së pas largimit të Lulzim Bashës. Lëvizjet që po bëhen për të mbledhur firma për ta zëvendësuar me Ervin Salianjin, ai i cilësoi si “agresion nga Berisha për hallet e tyre”.
“Unë jam drejtues i PD pas shkëputjes së Lulzim Bashës. Unë jam përfaqësues i gjithë atyre demokratëve që kanë vendosur të shkëputen nga periudha tridhjetë e ca vjeçare e politikës shqiptare. Unë e kuptoj fare mirë hallin e atyre që herë pas here bëjnë këto lëvizje agresioni.
Është hall i Sali Berishës dhe Edi Ramës. Jam mësuar tashmë me këto etiketime duke më venë në krah të Edi Ramës. Media e ka bërë publike se kush ka qenë bashkë me Edi Ramën. Ata që janë bashkë, kanë arsye hallet e tyre personale” tha ai.
“Gjej rastin të ndodhem mes demokratëve të Sarandës jo vetëm për të festuar por edhe për të diskutuar gjendjen dhe situatën politike së pari në Sarandë, sfidat që na presin, por edhe për zhvillimet lart në qendër” tha më tej, Alibeaj përpara demokratëve duke shikuar nga e ardhmja dhe injoruar realitetin.
Pak ditë më parë Alibeaj përjashtoi katër deputetë të grupit me argumentin se nuk reflektuan pas dhunës së 8 janarit të vitit të vitit të kaluar. Në krahun tjetër Ervin Salianji po mbledh firmat për të marrë drejtimin e grupit.