Grupi i miliarderit amerikan ishte në gjyq për mashtrim tatimor dhe falsifikimin e deklaratave të kontabilitetit, kryesisht me synimin për të fshehur nga organet tatimore kompensimet financiare të disa drejtuesve të lartë.
Ky është dënimi i parë i grupit të ish-presidentit amerikan, i cili përfshin klube golfi, hotele luksoze dhe shërbime imobiliare.
“Sot, bizneset e ish-presidentit Trump u urdhëruan të paguajnë gjobat maksimale të disponueshme sipas ligjit, pas dënimeve historike për 17 akuza penale”, tha në një deklaratë prokurori amerikan Alvin Bragg.
Dy nga bizneset e grupit, Trump Corporation dhe Trump Payroll Corporation, u akuzuan se u dhanë përfitime financiare ose në natyrë drejtuesve të rangut të lartë duke i fshehur ato nga autoritetet tatimore për të shmangur pagimin e taksave nga viti 2005 deri në 2018.
Midis tyre është një ish-shefi financiar i kompanisë, Allen Weiselberg një bashkëpunëtor i ngushtë për një kohë të gjatë i Trump, i cili u deklarua fajtor për pesëmbëdhjetë akuza dhe u dënua të martën në të njëjtin rast me pesë muaj burg dhe me një gjobë prej të paktën dy milionë dollarë.
Me shpalljen e dënimit, Weiselberg, i cili filloi të punonte që nga viti 1973 si kontabilist i babait të Donald Trump, u largua në pranga për në burgun e ishullit Rikers për të vuajtur dënimin.