Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shprehet i pashqetësuar për largimin e deputetit Agron Çela tek Partia Socialiste. Meta tha se nuk ka pasur asnjë komunikim nga deputeti, teksa shtoi se ai është i lirë të shkojë ku të dojë.
I pyetur nëse personat që largohen nga Partia e Lirisë, a do i pranonte sërish në forcën e tij politike, Meta e la të nënkuptohet se nuk ka më vend për të.
Gazetari: Si ka mundësi që Agron Çela iku dhe iu bashkua Ramës?
Meta: Kjo s’është pyetje për mua. Për arsye sepse unë nuk pengoj asnjë që të bashkohet me partinë e Ramës. Nuk kam pasur asnjë kontakt, asnjë njoftim prej tij. 3-4 ditë përpara daljes së lajmit të tij, kemi qenë në një mbledhje kryesie, më pas ishim në një aktivitet në Shkodër. Bëri një zgjedhje të tij. Ishte i pavarur.
Gazetari: Në një deklaratë Çela thotë se ka gjetur lumturinë në PS…
Meta: Në regjimin e Edi Ramës çdo gjë mund të ndodhë. Kush është shqetësimi këtu? Iku një deputet i opozitës që nuk foli kurrë kundër qeverisë? Ka votuar ndonjëherë kundër qeverisë? Jo s’ka votuar. Kur kam qenë dikur në LSI, iku një deputet në Fier, më pas morëm dyfishin e votave.
Gazetari: Nëse këta të larguarit bëhen pishman, a do i pranonit sërish në forcën tuaj politike?
Meta: Nuk dua të merrem me këtë çështje. Unë mendoj që ajo që tha zoti Curri është më e sakta. Secili ecën dhe promovohet në bazë të meritave që ka sot, do ketë nesër. Në Shkodër, edhe në 2019-ën PS-ja ishte vetëm, e humbi. Efekti PD-PL do jetë shumë herë më i lartë se në 6 mars. Shkodra e di që kjo nuk është zgjedhje individësh. Nuk ka rëndësi nga janë të konvertuarit. Shkodra e di se si ka vuajtur në të kaluarën nga një regjim monist. Raporti me Shkodrën është solid.