Rreth 900 milionë persona janë infektuar me korona virus në Kinë. Të dhënat janë bërë publike pas realizimit të një studimi nga Universiteti i Pekinit.
Vlerësohet se 64% e popullsisë së vendit është infektuar me virusin SARS-CoV-2.
Nga të dhënat rezulton se më e goditura është provinca Gansu, ku 91% e qytetarëve janë infektuar, e ndjekur nga Yunnan 84% dhe Qinghai 80%.
Situata mund të përkeqësohet pasi tashmë qindra milionë kinezë do të udhëtojnë në vendlindjet e tyre, shumë për herë të parë që nga fillimi i pandemisë përpara Vitit të Ri Hënor më 23 janar.
Pekini ka ndaluar së raportuari statistika ditore në momentin që i dha fund politikës “zero Covid”, megjithatë sipas raportimeve spitalet në qytetet e mëdha janë të ezauruara.
Ekspertët e shëndetit në vend kanë bërë thirrje që vëmendja të përqendrohet në zonat rurale pasi shumë të moshuar dhe njerëz me aftësi të kufizuara nëpër fshatra kanë mbetur pa kujdes shëndetësor.