Organizata Botërore e Shëndetësisë i kërkoi sot Kinës më shumë të dhëna për evolucionin e valës së re të epidemisë, pas njoftimit të 60 mijë vdekjeve nga Covid pas heqjes së masave kufizuese dhe më shumë transparencë për të kuptuar origjinën e pandemisë.
“Më parë sot, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, foli me ministrin Ma Xiaowei, drejtor i Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës, në lidhje me situatën e Covid-19 në vend,” tha organizata ndërkombëtare në një deklaratë.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së dhe zyrtarë të tjerë kanë kritikuar hezitimin e Kinës në javët e fundit për të ndarë të dhëna të besueshme mbi valën covid që ka përfshirë vendin, si dhe përcaktimin e saj “shumë të ngushtë” të vdekjeve që i atribuohen covid-it.
OBSH thekson se po analizon informacionin, i cili mbulon periudhën nga fillimi i dhjetorit 2022 deri më 12 janar 2023 dhe lejon një kuptim më të mirë të situatës epidemiologjike dhe ndikimit të kësaj vale në Kinë dhe i kërkon Pekinit për të tillë informacione të detajuara për të vazhduar të ndahen me organizatën dhe publikun.
OBSH po u kërkon autoriteteve shkencore kineze të ndajnë më shumë të dhëna për sekuencën gjenetike për të përmirësuar monitorimin e evolucionit të virusit.
Organizata siguron Pekinin se do të vazhdojë bashkëpunimin e saj duke ofruar mbështetje këshilluese dhe teknike.