Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se viktimat e Reçakut i kanë treguar botës për tragjedinë që e kanë përjetuar shqiptarët më 1999.
Ajo i ka bërë këto deklarata në një ceremoni përkujtimore që është mbajtur të dielën në Shtime në 24-vjetorin e masakrës së Reçakut.
Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë.
“Masakra e Reçakut bëri që qendrat vendimmarrëse, demokratike, të mobilizoheshin për ta mbrojtur një popull që po vuante nën kthetrat e një regjimi gjenocidal. Por, edhe për të dëshmuar se qytetërimi perëndimor, nuk mund të dorëzohej para hegjemonive, prandaj Kosova duhej të ndihmohej e të mbrohej.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po ashtu se masakra e Reçakut ka nxitur më së shumti ndryshime të qëndrimeve të shteteve të huaja për “atë që po bënte Serbia në Kosovë”./REL