Tensionohen raportet mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka thirrur ditën e sotme ambasadorin britanik në Tiranë, King-Smith duke i dorëzuar një notë proteste për gjuhën e njërit prej ministrave të kabinetit të Sunak. Nota e protestës iu dorëzua me argumentin për gjuhën linçuese të ministrit të emigracionit dhe shqiptarëve.
Njoftimi për notën verbale
Në përgjigje të interesimit të mediave, Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diaspores në MEPJ bën me dije se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith i është dorëzuar sot paradite një Notë Verbale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Përmes kësaj Note, MEPJ paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick.
MEPJ theksoi se kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare.
Të vendet tona janë angazhuar përmes Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një game të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.
Por çfarë tha ministri?
Ministri britanik i Emigracionit Robert Jenrick dy ditë më aprë përdori një gjuhë të papranueshme për shqiptarët, në një video të publikuar në rrjetet sociale. Ai i etiketon shqiptarët si kriminelë.
“Isha për të parë deportimin e shqiptarëve. Disa prej tyre janë nisur. Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë.
Dje vizitova një qendër imigracioni për të parë fluturimet tona javore për në Shqipëri dhe për të falënderuar stafin për punën e tyre vendimtare për të zbatuar kufijtë tanë dhe për të na mbajtur të sigurt.
Të gjejnë shqiptarët, t’i ndalojnë ata, t’i çojnë në aeroport dhe t’i kthejnë në Tiranë. Jo vetëm këta emigrantët e paligjshëm por edhe kriminelë të rrezikshëm që kanë qenë të dënuar për drogë”, tha ministri.
Ministrja Olta Xhaçka reagoi ndaj deklaratës së ministrit britanik duke e cilësuar linçim verbal ndaj një kombi të tërë. “Tej mase e tronditur kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për emigracionin të përdori një gjuhë të tillë vetëm për disa vota. “Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin”!
Një linçim verbal ndaj një kombi të tërë në një gjuhë që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas Komunikatës së Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe atij të Britanisë së Madhe ku vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britani dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturë, ekonomi dhe shoqërinë e të dy vendeve.
Veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër me parime demokratike që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm” tha ajo.